Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka tërhequr vërejtjen që mos të fillohet shumë herët me futboll për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Infantino u ka thënë të premten 211 vendeve anëtare të FIFA-s se fillimi i parakohshëm me gara të futbollit do të ishte i papërgjegjshëm.
Futbolli thuajse në gjithë botën është pezulluar për shkak të përhapjes së koronavirusit. Euro 2020 dhe Copa America janë shtyrë për një vit.
“Prioriteti ynë kryesor, parimi ynë që do ta përdorim për garat tona dhe që inkurajojmë të gjithë t’i përmbahen, është se shëndeti vjen së pari”, ka thënë Infantino në një komunikatë që sipas FIFA-s i drejtohet vendeve anëtare.
“Nuk mund të theksoj këtë sa duhet. Asnjë ndeshje, asnjë garë, asnjë ligë nuk është e vlefshme nëse rrezikohet jeta e një njeriu të vetëm. Të gjithë në botë duhet ta kenë shumë të qartë këtë”.
Diskutime të vazhdueshme po zhvillohen nëpër botë për atë se kur duhet dhe si duhet të vazhdojë gara e futbollit. Në shumë vende ka diskutime edhe për atë nëse lojtarët duhet të marrin paga më të ulëta gjatë pushimit për shkak të pandemisë.
Edhe
Infantino: Ta shpëtojmë së bashku futbollin
“Do të ishte më tepër se e papërgjegjshme që të vazhdohet me gara nëse gjërat nuk janë 100 për qind të sigurta”, ka thënë Infantino. “Nëse duhet të presim pak më gjatë, ne duhet ta bëjmë këtë. Është më mirë të presim më gjatë se të rrezikojmë”.
I pari i futbollit botëror ka thënë se FIFA po vlerëson ndikimin financiar të ndalimit të futbollit, në mënyrë që të jap përgjigjen e duhur. FIFA pritet të ndihmojë të gjitha federatat nacionale.
“Ju duhet ta dini që ne do të jemi atje dhe do të gjejmë zgjidhje së bashku. Asnjëherë nuk do të jeni vetëm dhe bota do ta kuptojë se ku do të shkojnë paratë dhe pse do të shkojnë paratë atje. Nëse futbolli ia del të ketë diskutim ku të gjithë kontribuojnë pozitivisht dhe e ka prioritet interesin global para atij individual, jam i bindur që e ardhmja jonë do të jetë më e mirë se e kaluara dhe se do të jemi më mirë të përgatitur për atë që na pret”, ka theksuar Infantino.