Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prej “kafazit” në Premier League – ngritja e jashtëzakonshme e mesfushorit Eberechi Eze

“Çdo ditë mësoni lëvizje te reja dhe krijoni stilin tuaj të lojës”, thotë ai.

Duke tejkaluar pengesat dhe refuzim pas refuzimi, mesfushori i Crystal Palace, Eberechi Eze arriti lartë. Ngritjen e tij në Premier League ia atribuon vetëm një gjëje – “kafazit”.

Ishte vendi i parë në të cilin ai dhe shumë nga miqtë e tij shkonin pas shkollës, në Greenwich të Anglisë. “Kafazët” janë fushat e vogla e të mbyllura të futbollit, në jug të Londrës, që kanë ndihmuar në zhvillimin e shumë talenteve të Anglisë, në mesin e tyre edhe Jadon Sancho, Wilfried Zaha dhe Callum Hudson-Odoi.

Eze duke luajtur në “kafaz” mësoi të jetë i fortë fizikisht dhe mendërisht dhe të jetë i gatshëm. Këto cilësi i shërbyen ndërsa ai vazhdonte ta shtynte veten për të bërë karrierë futbolli pasi u lirua nga Arsenali, Readingu, Fulhami dhe Millwalli.

22-vjeçari megjithatë ka realizuar ëndrrën pasi po luan në Premier League këtë edicion. Eze iu bashkua skuadrës Crystal Palace nga QPR-ja në gusht për 20 milionë euro dhe firmosi kontratë pesëvjeçare. Ai tashmë ka 14 paraqitje në elitën e futbollit anglez ku ka shënuar një gol dhe ka dy asistime.

Edhe Arsenali prezanton “vjedhjen” nga Tottenhami Futboll Arsenali prezanton “vjedhjen” nga Tottenhami

Eze pranon se ishin pikërisht ndeshjet e futbollit me shokët në “kafaz” që e formuan si lojtar. Sipas tij, pikërisht “kafazi” ka reflektuar në paraqitjet e tij fantastike këtë sezon.

“Për mua, të luaja në ‘kafaz’ ishte një gjë e madhe. Gjithmonë do të tregoj se ku jam formuar si lojtar sepse është krenari të luash atje. Aty forcohesh në çdo aspekt. Falë ndeshjeve që i bëja aty nuk jam dorëzuar kurrë edhe pse kisha arsye për këtë pasi shumë ekipe më kanë refuzuar”, pranon Eze, raporton BBC. “Edhe pse isha në sistemin e akademisë, unë ende po shkoja në ‘kafaze’ për të luajtur futboll. Aty e shijoja futbollin. Luaja kundër më të vjetërve dhe duhet të jeni të fortë për të përballuar aty ndeshjet. Stilin e lojës së ‘kafazit’ po e shfaqi në Premier League. Ky është mentaliteti im sepse atje duhej të ishe shumë i mirë për ta ruajtur topin. ‘Kafazi’ na jep formë dhe falë tij jemi formuar si lojtarë”.

Ekzistojnë disa rregulla në “kafaze” dhe lojtarët, duan apo jo, mësohen të jenë elastikë. Kreativiteti është mënyra e vetme për të tërhequr vëmendjen dhe respektin e atyre që i shikojnë ato ndeshje. Këtë e pranon edhe Eze.

“Ju duhet të bëni shumë që njerëzit anash të bërtasin - duke bërë tifo ose diçka të tillë. Unë gjithmonë i kam bërë për vete dhe jam krenar”, shprehet Eze. “Unë mendoj se duke u rritur në Londër, me të gjitha ‘kafazet’ e futbollit, të gjithë lulëzojnë ose krijojnë aftësi dhe kjo është ajo që e doni. Të jesh në gjendje të kesh mundësinë për ta treguar veten në Premier Liga nga kafazi, për mua është e shkëlqyeshme”.

Udhëtimi i mesfushorit Eze deri në Premier League nuk ka qenë aspak i lehtë. Pasi u refuzua prej katër skuadrave ai më në fund arriti të firmos kontratë me QPR-n pas provave të suksesshme. Me gjithë refuzimet, Eze nuk u dorëzua. Mirëpo, çfarë e mbajti atë të fortë?

Edhe Arrihet marrëveshja, Eze do të bëhet lojtar i ri i Arsenalit Futboll Arrihet marrëveshja, Eze do të bëhet lojtar i ri i Arsenalit

“Familja ime dhe gjithashtu dashuria dhe kënaqësia për të luajtur futboll. Unë nuk doja të bëja asgjë tjetër dhe nuk e shihja veten duke bërë diçka tjetër, veç futbollit. Për mua futbolli ishte opsioni i vetëm sepse nuk kisha ndonjë ide se çfarë do të bëja nëse do të dështoja”, thotë Eze.

Mesfushori me tipare sulmuese ka befasuar të gjithë te skuadra e Crystal Palace, duke u bërë titullar i padiskutueshëm dhe duke u lavdëruar nga tifozët për paraqitjet e tij të sigurta.

“Unë mendoj se ky motiv vjen nga paraqitjet në ‘kafaz’ ku shumë tifozë më përkrahnin. Kështu që te Palace vetëm po e bëjë punën time. Nuk kam presion por thjeshtë po e shijoj edicionin e parë në Premier League. Po kënaqem me lojën dhe po mendoj se jam shumë efektiv”, shtoi Eze.

Paraqitjet e Ezes po bëjnë që ai të krahasohet me sulmuesin Wilfried Zaha, njërin prej lojtarëve kryesor te Crystal Palace. Të dy u rritën në jug të Londrës, të dy e mësuan futbollin në “kafaze” dhe të dy shumë lehtë po e dëshmojnë veten në njërën prej ligave më të forta në botë.

Edhe Zeqiri flet për periudhën në Premier League Futboll Zeqiri flet për periudhën në Premier League

Zaha sugjeroi në fillim të këtij muaji që të dy lojtarët ishin në të njëjtën “gjatësi valore”. Eze thotë se sulmuesi i Përfaqësueses së Bregut të Fildishtë është dhe mbetet një frymëzim për të.

“Ka qenë një privilegj i madh për mua që të krahasohem me Zahan, i cili po ashtu më ka vlerësuar lart. Falë tij kam arritur të ambientohem shpejtë në ekip. Zaha më ka lehtësuar gjërat këtu”, thotë Eze. “Këshillat e tij kishin domethënie të madhe për mua sepse nuk është lehtë të luash në Premier League. Ai më ka marrë disi nën krahun e tij, gjë që ka qenë e mirë për mua. Unë jam duke mësuar prej tij, ai është një lojtar i shkëlqyeshëm dhe mund të them se kemi një stil kaq të ngjashëm”.