Sport

Pozita e pazakontë e Prishtinës, e fundit në tabelë

Tri ndeshje të luajtura, tri fitore. Ky ishte bilanci i Sigal Prishtinës në turneun e Superkupës së Kosovës në basketboll që i parapriu edicionit 2020/21 në Superligë, pas një pauze prej gati tetë muajve si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Prishtina e fitoi Superkupën, që llogaritej se ishte si një paralajmërim për skuadrat e tjera kur të fillonte kampionati. Prej tetë ekipeve pjesëmarrëse në Superkupë, Prishtina ishte e vetmja pa lojtarë të huaj.

Kur nisi kampionati gjërat ndryshuan. Prishtina vazhdon pa të huaj, por rezultatet janë tjera. Ekipi i mësuar me fitimin e trofeve aktualisht është i fundit në tabelën e Superligës.

Në katër ndeshje Prishtina ka vetëm një fitore, të cilën e arriti në xhiron e dytë kundër Trepçës. Pësoi nga Peja, Rahoveci e Golden Eagle Ylli derisa të dielën (17:00) do të luajë në udhëtim kundër Ponte Prizrenit ndeshjen e mbetur të xhiros së pestë.

Me shumë gjasë është hera e parë që Prishtina zë vendin e fundit në tabelë pas disa xhirove të luajtura. Në fakt vetëm nga një fitore e kanë edhe Bashkimi e Vëllaznimi, por ato skuadra kanë nga një ndeshje më shumë të luajtur dhe rrjedhimisht edhe nga një pikë më shumë. Humbja në basketboll sjell një pikë. Trajneri i Prishtinës, Andin Rashica, thotë se për këto rezultate të papritura ka ndikuar lëndimi dhe infektimi me koronavirus i lojtarëve. Për shkak të infektimit të lojtarëve, Prishtina u detyrua të shtynte dy ndeshje, me Yllin dhe Ponte Prizrenin.

Sipas Rashicës, ekipi që nga xhiroja e parë e këtij edicioni nuk ka qenë i kompletuar. Madje, ai thotë se muajin e shkuar i ka zhvilluar vetëm katër stërvitje me të gjithë lojtarët.

“E filluam në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin, me triumfin në Superkupë. Mirëpo, prej xhiros së parë nuk kemi qenë të kompletuar, sidomos me katër lojtarët kryesorë. Në fillim erdhi lëndimi i Fisnik Rugovës, pastaj mungesa e Edmond Azemit në tri ndeshjet e para dhe ajo e Altin Morinës në atë të fundit”, arsyetohet Rashica. “E tërë këtyre telasheve me lëndime iu bashkëngjit edhe infektimi i disa lojtarëve me koronavirus. Kështu që muajin e fundit i kemi vetëm katër stërvitje me ekip të kompletuar. Pas përfundimit të Superkupës po ballafaqohemi me këto probleme në çdo ndeshje dhe nuk po është aspak lehtë”.

Mungesën e lojtarëve me përvojë nuk po arrijnë ta kompensojnë basketbollistët e rinj, që është shqetësim tjetër për trajnerin Rashica. Sipas tij, ata nuk po e shfrytëzojnë këtë mundësi të klubit që pjesën e parë të këtij edicioni ka vendosur të luajë me vendorë. Para fillimit të këtij sezoni, drejtuesit e Prishtinës patën paralajmëruar se nuk do të bëjnë investime deri në fillim të vitit të ardhshëm kur edhe do të intervenojnë që ta kompletojnë ekipin me lojtarë të huaj për të luftuar për trofe, sikurse në të shkuarën.

Në fakt Prishtina nuk e ka forcën materiale që e kishte në të kaluarën. Kjo bën që liga të jetë e hapur. Ka pasur raste kur Prishtina ka paguar lojtarë të huaj më shtrenjtë se që e paguan tani gjithë skuadrën.

“Kjo situatë ka bërë që të mungojnë edhe energjia e motivimi për lojë, sidomos nga lojtarët e rinj kur dihet se këtë sezon kemi menduar edhe për ndërrimin e gjeneratës. Para çdo ndeshje i shikoj lojtarët në sy dhe aty e kupton çdo gjë, nëse ata janë apo nuk janë gati për ndeshje. Duhet secili nga ne të jemi në nivelin e njëjtë të motivimit për shkak se e kemi parasysh që secili kundërshtar që luan kundër nesh është dhjetëfish më shumë i motivuar se kundër ekipeve të tjera”, u shpreh trajneri Rashica. “Nëse jepet maksimumi në çdo ndeshje dhe ekipi kundërshtar është më i mirë, atëherë është tregim krejtësisht tjetër. Mirëpo, secili nga ne duhet së pari të jemi në paqe me veten dhe të japim çdo gjë për fanellën e Prishtinës. Mirëpo jemi larg nga realiteti, shumë larg”.

Gjithashtu, Rashica thotë se ekipit po i mungojnë edhe tifozët, që nuk po lejohen në palestra për shkak të situatës aktuale me pandeminë. Megjithatë, ai shpreson se Prishtina do ta tejkalojë këtë situatë me angazhimin e të gjithëve.

“Për fat të keq pandemia ka bërë që tifozët të mungojnë në palestra. Mirëpo, ka edhe mënyra tjera të përkrahjes, dhe ne kemi nevojë për tifozët tanë. Në këto momente duhet të jemi të bashkuar, sepse vetëm në këtë mënyrë tejkalohet kjo situatë, përndryshe do të jetë shumë vështirë”, tha Rashica. “E di që Prishtina do të kthehet fuqishëm pasi do të kompletohemi dhe sërish do të synojmë t’i rrëmbejmë edhe dy trofetë e tjerë, sikurse e kemi bërë edhe në të shkuarën”.

Pas pesë xhirove të para, skuadra e Yllit kryeson në tabelë me nëntë pikë të tubuara, duke e lënë pas vetes Pejën me një pikë më pak. Edhe Peja, sikurse Prishtina, ka një ndeshje më pak të zhvilluar, atë të xhiros së pestë që do ta luajë të shtunën (15:00) në Mitrovicë kundër skuadrës së Trepçës.