Sport

Gara e pazakontë e rivalëve më të mëdhenj

Edmond Azemi nuk po mund të përballojë ta shohë tabelën e Superligës së Kosovës në basketboll. Në fakt, Azemi si kapiten i Sigal Prishtinës nuk po e shikon fare tabelën, në të cilën ekipi i tij renditet i shtati, saktësisht i parafundit me vetëm 14 pikë të tubuara pas 11 ndeshjeve të zhvilluara. E pothuajse ngjashëm si Azemi po vepron edhe Valdrin Haxhiu, kapiteni i Trepçës.

Skuadra nga Mitrovica ka një pikë më pak se Sigal Prishtina dhe renditet e fundit. Kështu që dikur dy ekipet kryesore të “Katërshes së madhe” të basketbollit të Kosovës, këtë edicion po bëjnë një “garë” të pazakontë. Rivalët e mëdhenj po luftojnë për t’i ikur pozitës së fundit në tabelë dhe si Azemi ashtu edhe Haxhiu besojnë fuqishëm se në pjesën e dytë të këtij edicioni do të kenë garë për kreun e klasifikimit.

“Të them të drejtën nuk po kam zemër ta shikoj tabelën për shkak të pozitës aktuale në të cilën gjendet klubi. Nuk jam mësuar kështu për shkak se si kapiten jam mësuar të fitojmë trofe dhe të luftojmë për pozitën e parë. Kjo është hera e parë që po më ndodh dhe nuk po më vjen aspak mirë”, pranoi Azemi për KOHËN. “Aktualisht po luftojmë për të ikur nga pozita e fundit dhe realisht kjo nuk është fare fytyra e vërtetë e Prishtinës”.

Ai tha se ka disa faktorë, ndër ta edhe koronavirusi, që kanë ndikuar në këto rezultate të Prishtinës. Madje Azemi ishte optimist i madh para fillimit të këtij edicioni të Superligës se Prishtina do të jetë në pjesën e epërme pas triumfit në Superkupën e Kosovës. Prishtina aktualisht është ekipi i vetëm elitar me vetëm lojtarë vendorë në përbërje, përfshirë këtu edhe qendrën nga Shqipëria, Daniel Lekndreaj, që iu bashkua klubit në javët e fundit. Ai llogaritet vendor.

“E gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak se gjatë këtij edicioni shumë pak kemi stërvitur me ekipin e kompletuar për shumë arsye, përfshirë këtu edhe infektimin me koronavirus. Nuk arritëm të komponohemi pasi në ekip kemi lojtarë të rinj dhe kjo na kushtoi, ndonëse kemi treguar paraqitje të mira në përgjithësi”, u shpreh Azemi. “Realisht ne e nisëm shumë mirë sezonin me triumf në Superkupë, ku na llogarisnin autsajderë. Kështu që, besoj se Prishtina do të kthehet fuqishëm në pjesën e dytë dhe do të luftojë për trofe”.

Rikthim të fuqishëm pret edhe qendra e Prishtinës, Fisnik Rugova, i cili së bashku me Azemin janë lojtarët më me përvojë te ekipi më i suksesshëm në basketbollin kosovar.

“Natyrisht, prej një ekipi si Prishtina askush nuk i pret rezultatet e tilla. Mirëpo besoj se në pjesën e dytë do të tregojmë një fytyrë krejtësisht tjetër me ndonjë përforcim, pasi aktualisht në klub shumica janë lojtarë të rinj. Jam optimist se situata do të përmirësohet prej vitit tjetër dhe Prishtina do të kthehet aty ku e ka vendin”, insistoi Rugova.

Sikurse te Prishtina, edhe te Trepça janë të bindur se pas Vitit të Ri, ekipi nga Mitrovica nuk do ta diskutojë çështjen e mbijetesës në Superligë. Kështu insiston kapiteni i Trepçës, Haxhiu. Në fakt, Trepça edicionin e nisi me ndeshjet e plejautit për t’u konfirmuar si anëtare e elitës, gjë që edhe e bëri.

“Pjesa më e keqe e karrierës sime është edicioni i fundit kur mbetëm në plejaut dhe ky edicion ku jemi në pozitën e fundit, të cilën nuk e meritojmë. Për mua si kapiten po është vështirë ta shoh tabelën për shkak se nuk meritojmë të jemi aty. E them këtë, për shkak se vitet e fundit Trepça gjithmonë ka qenë ekip me pretendime të mëdha”, insistoi Haxhiu. “Ne përgatitjet i filluam dy ditë para kampionatit dhe nuk arritëm të komponohemi edhe me përforcimet që erdhën me vonesë, gjë që ndikoi shumë. Kjo edhe mendoj se është arsyeja e këtij starti”.

Mirëpo, Haxhiu insiston se në pjesën e dytë Trepça do të ketë një fytyrë krejtësisht tjetër me trajnerin nga Turqia, Serhat Sehit, që debutoi vikendin e shkuar.

“Megjithatë, besoj se në pjesën e dytë do të reagojmë, sepse veçse kemi filluar të bëhemi gati dhe do të vijnë lojtarë cilësorë. Me ardhjen e trajnerit të ri, ka ardhur një frymë tjetër dhe pres të jemi të kompletuar për të bërë një kthim të fuqishëm, ku nuk besoj se do të kemi problem për t’u kualifikuar në garat e plejofit. Unë besoj në Kryesinë dhe në kryetarin e klubit që po bëjnë një punë të madhe”, është shprehur Haxhiu.

Si Prishtina, ashtu edhe Trepça mund ta mbyllin vitin në pozitat ku janë, të parafundit dhe të fundit. Në xhiron e 12-të, që zhvillohet të martën dhe të mërkurën, kanë përballë kundërshtarë të fortë. Sigal Prishtina e pret Ponte Prizrenin, derisa Trepça do të jetë mysafire e Pejës. Prishtina luan të martën prej orës 13:00, derisa Trepça të mërkurën nga ora 15:00.