Sport

Portugalisë i duhet fitorja ndaj Çekisë

Portugalia luan kundër Çekisë në Ligën e Kombeve të shtunën, ndërsa përfaqësuesja e Cristiano Ronaldos shpreson që të fitojë e të luajë kundër Spanjës në ndeshjen vendimtare për kualifikim në fazën finale.

Ronaldo po synon që ta rrisë rekordin e golave të shënuar në nivel përfaqësuesesh. Ai ka 117 gola. Por duhet të ketë kujdes të shtunën nga ora 20:45, pasi në rast se ndëshkohet me karton të verdhë, do të suspendohet.

Edhe gjashtë lojtarë tjerë të Portugalisë rrezikojnë suspendimin.

Spanja prin në Grupin 2 të Ligës A të Ligës së Kombeve me tetë pikë, një më shumë se Portugalia, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Çekët janë në vendin e tretë me katër pikë. Zvicra ka tri pikë në vendin e fundit.

Fitorja e Portugalisë në Pragë do të thoshte se pavarësisht rezultatit në ndeshjen Spanja - Zvicra, vendi i parë në grup do të vendosej të martën në Braga, në ndeshjen Portugalia – Spanja.

Portugalia do të jetë pa mbrojtësin e suspenduar Joao Cancelo, ndërsa veterani Pepe është i lënduar.

Katër fituesit e grupeve avancojnë në turneun final që mbahet nga 14 deri më 18 qershor të vitit të ardhshëm.