Pas përvojës në Gjermani, portieri i talentuar, Rijad Bytyqi, po e vazhdon zhvillimin në Holandë. Ai ka kaluar te Twente ku do të luajë për ekipin U21 të këtij klubi. Por aktualisht portieri nga Lipjani po ushtron me ekipin e parë të Twentes, klubit elitar holandez.
Bytyqi, 19-vjeçar, ishte shquar me përfaqësuesen U17 të Kosovës, gjatë vitit 2019. Në një barazim 1:1 me Holandën, atëbotë kampione evropiane, Bytyqi ishte dalluar me shumë pritje. Ai ka vazhduar të zhvillohet në heshtje dhe vazhdon ta bëjë këtë.
Në edicionin e kaluar ai luajti për skuadrën pak të njohur gjermane, Arminia Klosterhardt. Luajti për ekipin U19. Deri te kalimi te kjo skuadër karrierë kishte bërë në Kosovë.
“Aktualisht jam me ekipin e parë të Twentes në kamp përgatitor. Isha në Bundesliga 2, grupmosha U19, te Arminia Klosterhardt në edicionin e kaluar. Por kam pasur prova te Emmeni dhe Twente, tek ekipet U21 të këtyre klubeve. Të dyja kanë qenë të interesuara deri në momentin e fundit. Tek Emmeni isha katër muaj në prova dhe kjo skuadër më ka dëshiruar. Por ndërkohë u paraqit Twente dhe kam firmosur me akademinë e këtij klubi”, ka treguar Bytyqi për KOHËN, të martën.
“Unë do të luaj në akademi, por ekipi i parë më ka thirrur në fazë përgatitore pasi që është lënduar portieri i parë. Kur ka lëndime zëvendësimi merret në akademi. Prej tre portierëve që janë në U21, mua më kanë sjellë në ekipin e parë. Ka portierë që janë nëntë vjet te Twente dhe klubi vendosi për mua. Kjo ishte befasi e madhe për mua. Stërvitjet janë duke ecur shumë mirë. Nëse dëshmohem, mund të stërvitem më gjatë me ekipin e parë”, ka shtuar Bytyqi.
Ai ka qëndruar vetëm gjashtë ditë në akademi të klubit, para se të ftohej në ekipin e parë. Thotë se askush nuk ka bërë një kalim kaq të shpejtë deri më tani, ndonëse vetëm për stërvitje.
Ndonëse ishte paraqitur me sukses te U17, Bytyqi nuk kishte luajtur për U19 të Kosovës. Thotë se është ftuar disa herë, por ka qenë i lënduar.
“Tani pres ftesë prej Kosovës U21”, ka theksuar Rijad Bytyqi.