Mesfushori Paul Pogba ka paralajmëruar largimin nga Manchester Unitedi në fund të këtij sezoni kur edhe i skadon kontrata. Në një intervistë për “Le Figaro”, Pogba ka shprehur frustrimin për situatën e tij në ekipin anglez, ku ka thënë se i është kërkuar të luajë në pozita të ndryshme.
Ai ka pranuar se kjo e ka bërë tejet të pakënaqur, dhe po ashtu po shihet si sinjal se Pogba nuk e ka ndërmend ta vazhdojë kontratën me Unitedin që i skadon në verë. Po ashtu, francezi nuk e ka përjashtuar aspak mundësinë që t’i bashkohet Paris Saint-Germainit për sezonin tjetër.
“Pse jo? Është gjithmonë kënaqësi të luash me bashkëlojtarë si në përfaqësuese ashtu edhe në klub. Sinqerisht, pesë sezonet e fundit nuk kam qenë aspak i kënaqur. Ndërsa, këtë vit nuk do të fitojmë asgjë. Unë jam lojtar që dua të fitoj trofe me Unitedin apo ekip tjetër”, është shprehur Pogba.
Francezi në vitin 2016 u rikthye te Unitedi nga Juventusi, ndërsa këtë sezon ka një gol e nëntë asistime në 23 ndeshje në të gjitha garat.