Trajneri i ri i PSG-së, Mauricio Pochettino, ka thënë në konferencën e tij të parë për media si teknik i skuadrës franceze se do të mirëpres lojtarët e mëdhenj. Këto komente argjentinasi i ka bërë kur është pyetur për Lionel Messin.
“Ne i lëmë thashethemet në një anë. Të gjithë lojtarët e shkëlqyeshëm, janë të mirëpritur te PSG-ja”, është shprehur Pochettino, i cili e ka zënë vendin e të shkarkuarit, Thomas Tuchel. Ai e ka quajtur Parisin njërin ndër klubet më të mëdha në botë. Pochettino nuk ka dashur ta krahasoi PSG-n me Tottenhamin, klub me të cilin theksoi se ka kaluar një periudhë shumë të mirë. Javëve të fundit është raportuar për një largim të Messit nga Barcelona dhe PSG-ja është ndër klubet e interesuara për yllin nga Argjentina.