Në Beograd prej 6 korrikut e deri të premten u mbajt Kampionati Evropian në pingpong për të rinj. Pjesë e kësaj ngjarje ishin qindra pingpongistë nga vende të ndryshme. Por jo edhe pingpongistët nga Kosova.
Ndonëse Federata e Pingpongut e Kosovës kishte planifikuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje, kjo nuk iu mundësua. FPPK-ja ka insistuar që të marrë pjesë në Evropian vetëm si e barabartë me delegacionet e tjera. Megjithatë kjo nuk ishte bërë e mundur, ndonëse Kosova që prej vitit 2003 është anëtare me të drejta të plota e ETTU-së (Unionit Evropian të Pingpongut).
Federata e Pingpongut e Kosovës ishte e para prej federatave sportive të vendit të pranuara në asociacionet ndërkombëtare të sportit përkatës. Pingpongistët kosovarë marrin pjesë në të gjitha garat ndërkombëtare, por jo edhe në këtë të mbajtur në Serbi.
“Pavarësisht se Kosova është anëtare me të drejta të plota në ETTU, sërish Serbia e mohoi pjesëmarrjen tonë si anëtare e barabartë në Kampionatin Evropian për të rinj që u mbajt në Serbi, duke mos lejuar që të rinjtë tanë të jenë pjesë e lojërave të pingpongut. U bëjmë thirrje të gjitha strukturave sportive vendore dhe ndërkombëtare që të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e të drejtës themelore të sportistëve tanë për pjesëmarrje në të gjitha garat”, ka shkruar Federata kosovare e pingpongut.
Me një komunikatë ka dalë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Politika serbe vazhdon të përzihet në sport dhe atë duke diskriminuar sportistët tanë. Rasti i fundit ndodhi me pingpongistët tanë, të cilëve iu mohua pjesëmarrja me të drejta të barabarta me shtetet e tjera në Kampionatin Evropian për të rinj. KOK-u ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me FPPK-në gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian. E dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, që nuk është rasti i parë kur bëhet fjalë për sportistët tanë”, ka shkruar KOK-u.
Për kohë të gjatë sportistët kosovarë nuk janë lejuar që të garojnë në ngjarjet ndërkombëtare të mbajtura në territorin e Serbisë. Ka pasur pak lëvizje më herët këtë vit. Atletët e rinj morën pjesë në Ballkanikun U20 në Beograd, e më pas edhe një atlete seniore në Botërorin në palestër. Por kishte diskriminim të qartë ndaj saj në mënyrën e prezantimit.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka kërcënuar Serbinë me marrjen e të drejtës së organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare, nëse nuk i trajton të barabartë të gjithë sportistët. Por kjo nuk po ndodh ende.
Federata e Pingpongut e Kosovës rastin e ka dërguar në organe gjyqësore, fillimisht të pingpongut.
“Pasi nuk na është lejuar emri dhe flamuri i Kosovës, fanellat e sportistëve tanë, nga Federata serbe dhe ETTU-ja, ne e kemi përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes pa emër dhe e kemi formalizuar ankesën në Bordin e Apelit. Javën tjetër presim epilogun e kësaj ankese. Nëse do të jetë negativ, ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë me padi në KAS në Llozanë”, ka thënë për KOHËN Jeton Beqiri, kryetar i FPPK-së.
“Evropiani ka përfunduar dje, ndërsa para 6 korrikut ka pasur presione të ndryshme nga ITTF-ja, KOK-u dhe IOC-ja. Por jo me ndonjë epilog pozitiv për të ndërruar qëndrimin e shprehur nga Federata serbe dhe Unioni Evropian i Pingpongut qysh në muajin qershor. Ankesa jonë është bërë ndaj Federatës serbe dhe ndaj ETTU-së”, ka shtuar Beqiri.
Është e sigurt që telashe të tilla do të ketë edhe në të ardhmen për sportin kosovar. Të tjera ngjarje me rëndësi mbahen në Serbi në muajt e ardhshëm.