Sport

Pingpong për Evropianin “diskriminues” në Beograd, ETTU-ja e dëshpëruar me federatën kosovare

Kampionati Evropian për të rinj në pingpong ka përfunduar të premten në Beograd. Por zhvillimet rreth tij, përkatësisht rreth mospjesëmarrjes së Kosovës, po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe një kohë.

Pingpongistët kosovarë kishin planifikuar të merrnin pjesë në këtë ngjarje kontinentale, por megjithatë nuk ishin pjesë e saj. Nga Federata e Pingpongut të Kosovës kanë thënë se nuk u është mundësuar paraqitje e barabartë me delegacionet e tjera në Evropianin në Beograd dhe për këtë arsye nuk kanë marrë pjesë. Madje, FPPK-ja ka hapur rast tashmë ndaj Federatës së Pingpongut të Serbisë dhe ndaj Unionit Evropian të Pingpongut për mbetjen jashtë Evropianit.

Në Unionin Evropian të Pingpongut (ETTU) nuk ndihen përgjegjës për mbetjen jashtë të Kosovës. Madje, drejtojnë gishtin nga Federata e Pingpongut të Kosovës. Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, ETTU ka thënë se Federata Kosovare e Pingpongut e ka tërhequr vetë ekipin nga Evropiani në Beograd. Për më tepër, shkruan në përgjigje, ETTU-ja është e dëshpëruar me vendimin e FPPK-së.

“ETTU-ja është e dëshpëruar që Federata e Pingpongut e Kosovës ka marrë vendim për tërheqjen e ekipit të saj nga ETTU Kampionati Evropian për të Rinj. ETTU-ja ka punuar fort për të siguruar që Kosova të kishte trajtim të barabartë dhe të drejtë në Kampionat Evropian”, shkruan në përgjigjen e ETTU-së. Përgjigjen e ka dhënë Milica Nikoliq, zyrtare për shtyp e ETTU-së. Ajo është nga Serbia, por natyrisht paraqet qëndrimet e Unionit Evropian të Pingpongut. Në përgjigje nuk shkruan nëse ETTU-ja, pos që ka punuar shumë, a ka siguruar trajtim të barabartë për Kosovën.

“ETTU-ja respekton vendimin e Federatës së Pingpongut të Kosovës për të apeluar dhe nuk do të bëj komente tjera derisa ankesa është në shqyrtim nga Bordi i Apelit. ETTU-ja është e përkushtuar për trajtimin e barabartë të të gjitha shteteve dhe të siguroi që sportistët janë të lirë për të garuar pa diskriminim”, vazhdon përgjigja për KOHËN e Unionit Evropian të Pingpongut.

FPPK-ja e ka bërë publik problemin të premten, në ditën e fundit të Evropianit për të rinj. Sipas Federatës kosovare, është Serbia që mohoi pjesëmarrjen e barabartë në Kampionatin Evropian, duke mos lejuar kështu që të rinjtë kosovarë të jenë pjesë e lojërave të pingpongut.

“FPPK-ja në muajin maj ka iniciuar komunikimet me strukturat udhëheqëse të ETTU-së për t’u siguruar që Kosova do të përfaqësohet në Kampionatin Evropian për të Rinj me të drejta të barabarta sikurse çdo anëtar i ETTU-së. Përkundër përpjekjeve të FPPK-së, nga ETTU-ja në muajin qershor kemi pranuar përgjigje e cila mirëpret pjesëmarrjen e Kosovës në Evropian, por e njëjta nuk ka arritur të siguroj kushte të barabarta për kosovarët për faktin se ky event mbahej në Beograd. Prandaj të pakënaqur me këtë qëndrim, FPPK-ja më 28 qershor ka iniciuar ankesë në Bordin e Apelit të ETTU-së, i cili është autoritet përfundimtar për zgjidhjen e kontesteve në nivel të Unionit Evropian të Pingpongut”, thuhet në një komunikatë të Federatës Kosovare të Pingpongut.

Federata kosovare ka kërkuar sanksione ndaj Federatës serbe, duke ia ndaluar organizimin e garave ndërkombëtare deri në sigurimin e kushteve të barabarta për të gjithë anëtarët e ETTU-së. Ka kërkuar suspendimin e Federatës së Pingpongut të Serbisë për shkelje të rëndë të “kushtetutës së ETTU-së”.

I pari i pingpongut kosovar, Jeton Beqiri, ka thënë për KOHËN se ankesa është bërë si ndaj federatës serbe ashtu edhe ndaj ETTU-së. Ai ka paralajmëruar se rasti do të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv nëse përgjigja e Apelit të ETTU-së do të jetë negative.

Reagimi i FFPK-së është bërë në koordinim me KOK-un dhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Të dyja institucionet kanë dënuar përzierjen e politikës serbe në sport, përkatësisht pengimin e sportistëve kosovarë që të barabartë të garojnë në Evropianin në Beograd.

Deri këtë vit, sportistët kosovarë nuk kanë garuar në ngjarjet që janë mbajtur në Serbi. Ka pasur përpjekje të tilla, por pa sukses. Ndërkohë këtë vit, atletët e rinj garuan në Ballkanikun U20 në palestër, në Beograd. Më pas Gresa Bakraçi garoi në Botërorin në palestër në Beograd. Por kishte diskriminim të ndjeshëm ndaj saj për mënyrën e prezantimit.

Ngjarje të tjera mbahen në Serbi në muajt e ardhshëm dhe telashe të tjera priten për sportistët kosovarë. Natyrisht nëse vendoset që të merret pjesë në to.