Phoenix Suns ka siguruar plejofin në NBA për herë të parë pas 11 vjetësh, falë fitores 109:101 ndaj Los Angeles Clippersave. Chris Paul shënoi 28 pikë, 15 prej të cilave i realizoi në çerekun e fundit për ta udhëhequr Phoenixin drejt triumfit ndaj LA Clippersave.
Me këtë fitore, Phoenixi është i dyti në Konferencën Perëndimore derisa LA Clippers zë pozitën e tretë. Herën e fundit kur Phoenixi u paraqit në plejofin e NBA-s, ishte sezoni 2009/10. Me lojë të mirë te Phoenixi u dallua edhe Kevin Booker që shënoi 21 pikë.
“Jemi shumë të kënaqur që kemi arritur të kthehemi në plejof pas një pritjeje të gjatë. Kjo është meritë e lojtarëve, të cilët i kanë zbatuar me përpikëri të gjitha ato që i kam kërkuar. Tani në pret një punë edhe më e vështirë në plejof”, ka thënë trajneri i Phoenixit, Monty Ëilliams. Te LA Clippers, më efikasi ishte Paul George me 25 pikë e dhjetë kërcime. Ndërkohë, lideri i Konferencës Perëndimore, Utah Jazz ka triumfuar bindshëm ndaj Sacramentos me rezultatin 154:104. Sacramento është në pozitën e 12 dhe nuk ka marrë pjesë në garat e plejofit prej sezonit 2005/06. Bojan Bogdanoviq me 24 pikë e Jordan Clarkson me 23 sosh, kanë udhëhequr Jazzin drejt fitores pas një serie prej dy humbjeve rresht. Los Angeles Lakersat kanë pësuar humbje nga Washingtoni me shifrat 116:107 për të vazhduar serinë e rezultateve të dobëta.