Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Phoenixi eliminon LA Lakersat

Kampioni në fuqi i NBA-s, Los Angeles Lakers është eliminuar në raundin e parë të plejofit nga Phoenix Sund. Në ndeshjen e gjashtë të kësaj serie të plejofit, që u zhvillua të premten në mëngjes, Phoenixi triumfoi ndaj LA Lakersave me rezultatin 113:100 dhe kështu avancoi në serinë gjysmëfinale të plejofit në Konferencën Perëndimore, me rezultatin e përgjithshëm 4:2. Për Phoenixin, kjo është hera e parë prej vitit 2010 që kualifikohet në raundin e dytë të plejofit derisa për yllin e Lakersave, Lebron Jamesin është hera e parë në karrierë si basketbollist që përjeton eliminimin në raundin e parë.

Në fakt, James ishte edhe më efikasi te Lakersat, të cilët nuk arritën të evitojnë humbjen, dhe eliminimin gjithashtu. Ai ndeshjen e mbylli me 29 pikë, nëntë kërcime e shtatë asistime. Ndërkohë, te Phoenixi, Devin Booker ishte i jashtëzakonshëm me 47 pikë, 11 kërcime e tri asistime. Në gjysmëfinale të kësaj konference, Phoenixi do të përballet me Denverin, ekip që të premten në mëngjes eliminoi me rezultatin e përgjithshëm 4:2 skuadrën e Portlandit, që e mposhti me shifrat 126:115.

Nikola Jokiq ishte më efikasi te Denveri me 36 pikë të shënuara derisa te Portlandi, u veçua Damian Lillard me 28 pikë.