Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pesë Komitete Olimpike nënshkruajnë memorandum në Prishtinë

Të hënën mbrëma në lokalet e reja të Komitetit Olimpik të Kosovës është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi i pesë komiteteve olimpike nacionale. Memorandumi i quajtur “Balkan Cooperation 5” është nënshkruar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Komiteti Olimpik i Francës, pastaj KO i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

“Memorandumi parasheh bashkëpunim në çështje të ndryshme që lidhen me Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, por edhe pas tyre pasi do të zgjatë deri në vitin 2028. Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, e quajti historike ditën e sotme, për shkak se katër komitete fqinje po e nisin një bashkëpunim të fuqishëm me mikpritësit e Lojërave Olimpike ‘Paris 2024’, derisa shtoi se edhe në Francë, Kosova do të lë gjurmë në suksese të reja”, ka njoftuar KOK-u.

Komiteti Olimpik i Francës është përfaqësuar nga nënpresidenti Pierre Siutat. Ai është edhe kryetar i Federatës së Basketbollit të Francës dhe kandidat për kryetar të FIBA Evropës. Siutat ka folur për “rëndësinë që ka për Francën nënshkrimi i këtij memorandumi, përmes të cilit krijojnë kushte më të mira për miqtë e rinj para dhe gjatë LO Paris 2024, derisa u shpreh i impresionuar me nivelin e sportit në vendin tonë”.