Tre mundësit e Kosovës kanë garuar të martën në Kampionatin Evropian për seniorë të rinj që po mbahet në Shkup. Garuesit e Kosovës kanë vazhduar me humbje të thella në Evropianin U23, ashtu si të hënën në ditën e parë të garave.
Altin Berisha, që të hënën pësoi 13:0 nga ukrainasi Erik Arushanian në kategorinë deri 65 kilogramë në stil të lirë, ka garuar edhe të martën. Arushanian pati ecuri të suksesshme, duke arritur deri në finale. Dhe për këtë Berisha fitoi rastin në repesazh, ndonëse kishte humbur nga Arushanian që në raundin kualifikues. Altini pësoi humbje tjetër të thellë të martën, 10:0, nga turku Cavit Acar. Madje Acar ishte aq dominant sa fitoren e arriti për 31 sekonda.
Albin Shehu ishte garuesi tjetër i Kosovës që humbi të hënën. Ai pësoi 10:0 nga moldavi Nicolai Grahmez, në 1/8 e finales në kategorinë deri 70 kilogramë. Për shkak të ecurisë pozitive të Grahmezit, edhe Shehu fitoi të martën rastin në repesazh.
Pësoi një tjetër humbje 10:0, këtë herë nga ukrainasi Denys Borohan. Përballja e Shehut nuk zgjati as një minutë. Në mundje, për dallim nga xhudoja, repesazhi mund të sigurohet edhe me humbje që në luftën e parë. Ecuria e kundërshtarit është përcaktuese.
Auron Syla garoi për herë të parë të martën, në kategorinë deri 92 kg, në stil të lirë. Rezistoi fare pak ndaj gjermanit Sebastian Schmidt, që fitoi 10:0. Lufta e tij zgjati më pak se dy minuta. Në përgjithësi garuesit kosovarë kanë qëndruar fare pak minuta në arenën e Evropianit. Në Federatën e Mundjes së Kosovës kishin paralajmëruar se mundësit kanë garues të fortë përballë. Ndërkohë të hënën mbrëma, FMK-ja njoftoi se Berisha e Shehu do të jenë në repesazh, por pa cekur humbjet e thella të tyre.
“Altin Berisha dhe Albin Shehu, të udhëhequr nga selektori Ziber Xhoni, nesër do të garojnë në repesazh për vendin e tretë”, thuhej në njoftimin e FMK-së.
Mundësit kanë mbajtur një kamp dhjetëditorë në Han të Elezit në prag të Evropianit U23. Mundja po bën përpjekje për të kthyer ditët e lavdisë. Sidomos në grupmosha të reja, kosovarët kishin fituar medalje evropiane e botërore në fund të viteve tetëdhjetë dhe fillim të viteve nëntëdhjeta. Por sukseset e atëhershme momentalisht duken të largëta.