Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Përzgjedhësja Afërdita Fazlija: Rusia është nivel më i lartë se ne, por ishim të pafat

Foto: FFK

Përzgjedhësja e Kosovës në futboll, Afërdita Fazlija, pas humbjes së thellë nga Rusia deklaroi se Kosova ishte e pafat, përkundër që e pranoi se niveli i kundërshtarit ishte shumë më i lartë.

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave pësoi humbje nga Rusia, me rezultat prej pesë me zero në ndeshjen e zhvilluar sonte në “Brita Arena” në Wiesbaden, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2021, transmeton Koha.net.

Humbje e thellë e Kosovës në ndeshjen ndaj Rusisë

“Realisht u pa që Rusia është nivel më i lartë se ne. Megjithatë mund ta konsiderojmë edhe si një ditë të pafat. Morëm gol në minutën e parë nga një aksion i paqenë. E njëjta situatë ndodhi edhe te goli i dytë. Është problem kur ke përballë një kundërshtar që ka nivel më të lartë dhe ta nisësh ndeshjen me një gol. Kjo na ndodhi neve”, u shpreh ajo.

Tutje ajo ka thënë se pranuan pesë gola nga asgjëja, derisa thotë se paraqitja e Kosovës ishte më e mirë se sa që tregon ky rezultat.

“Lojtaret u përpoqën të bëjnë diçka në vazhdim, por për çudi disa pika të forta që i kemi sonte dështuan. Me një fjalë morëm gola nga asgjëja. Përkundër që edhe në disa periudha edhe ne krijuam raste, u pa që përvoja e bënë të veten dhe neve si ekip i ri na mbetet të vazhdojmë të punojmë shumë. Nuk mendoj që loja ishte për t’i pësuar pesë gola, por ja që në futboll ndodh kjo. Gjithsesi, duhet ta kuptojmë se kjo është rruga e kombëtareve të vogla, këto janë sfidat që duhet t’i kalojmë. Tash na mbetet që të mobilizohemi për ndeshjen me Slloveninë dhe të japim më të mirën tonë”, u shpreh Fazlija.

Edhe Përzgjedhësja Fazlija: Kosovës i mungoi fati ndaj Shqipërisë Sport Përzgjedhësja Fazlija: Kosovës i mungoi fati ndaj Shqipërisë

Kosova ndeshjen e radhës e luan më 10 mars kundër Sllovenisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Rusia tani ngjitet në pozitën e dytë më 9 pikë, derisa Kosova mbetet e katërta me 6 pikë.