Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Përkundër mungesës, Tuchel do të ketë ndikim te Chelsea në botërorin e klubeve

Një bisedë virtuale e ekipit para ndeshjes mund të mos jetë hera e fundit që lojtarët e Chelseat marrin udhëzime nga trajneri Thomas Tuchel që mungon në gjysmëfinalen e Botërorit të klubeve që luhet sot prej orës 17:30.

Tuchel rezultoi pozitiv me koronavirus javën e kaluar dhe nuk ishte në gjendje të fluturonte për në Emiratet e Bashkuara Arabe të shtunën mbrëma me skuadrën. Ai patjetër do të humbasë ndeshjen kundër kampionit të Azisë, Al Hilal, por shpreson të dalë me ekipin për ndeshjen finale ose plejofin e vendit të tretë që zhvillohen të shtunën. Asistentët e Tuchelit, Arno Michels dhe Zsolt Low, do të udhëheqin ekipin kundër Al Hilalit në stadiumin “Mohammed Bin Zayed”. “Ne jemi vazhdimisht në kontakt me Thomasin”, tha Low. “Ne kemi pasur shumë biseda virtuale dhe telefonata gjatë gjithë kohës, shumë herë gjatë ditës. Ne e regjistrojmë stërvitjen dhe ia dërgojmë atij, i ndryshojmë idetë shumë herë në ditë”.

Tuchel planifikon t'i drejtohet skuadrës përmes video lidhjes edhe njëherë para ndeshjes me Al-Hilalin. Në fakt, ai këtë do ta bëjë para se ekipi të largohet nga hoteli për të shkuar në stadium.

“Mund të jetë më e vështirë të bëhet lidhja në stadium”, tha Low. Megjithatë, Tuchel do të japë instruksionet e tij edhe gjatë ndeshjes pasi vazhdimisht do të flasë në telefon me asistentët e tij. “Gjithashtu, edhe gjatë lojës ne do të jemi në kontakt me të, për atë që ai sheh dhe çfarë dëshiron që ne të bëjmë”, shtoi Low.