Zlatan Ibrahimoviq është një prej lojtarëve me emër që nuk është pjesë e Botërorit që po luhet në Katar. Legjenda e futbollit suedez, i cili nënshkroi kontratë të re me Milanin në moshën 41-vjeçare, dështoi të kualifikohej me Suedinë në “Katari 2022”.
Ndërkohë, është duke u shëruar nga operimi i gjurit. Sezonin e kaluar ndihmoi Milanin ta fitonte titullin në Serie A. Realizoi tetë gola në 23 ndeshje, duke luajtur me lëndim të ligamentit. Gjatë një interviste me “433”, ai ka thënë se Olivier Giroud do ta fitojë “Këpucën e Artë”.
Edhe 36-vjeçari Giroud është pjesë e Milanit. “Mendoj se lojtari më i mirë i Katarit do të jetë Olivier Giroudi”, tha 41-vjeçari, i cili më pas u pyet se cili do të jetë talenti më i madh në Katar. “Olivier Giroud sepse ai është ende i ri dhe nëse them se ai është i ri, atëherë do të thotë se edhe unë jam i ri po ashtu”, është shprehur Ibrahimoviq. Franca ndeshjen e ardhshme e luan kundër Danimarkës.