Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka mungesë të lojtarëve cilësorë të vendit në pozitat 1 dhe 5. Për këtë edhe ka natyralizuar lojtarë amerikanë që luajnë në pozitat e plejmejkerit dhe të qendrës. Por e keqja tjetër është se me rregulla të FIBA-s ekipeve u lejohet aktivizimi i vetëm një lojtari të natyralizuar për ndeshje zyrtare.
Kosova duhet të zgjedhë nëse do të ketë qendër të mirë (Shawn Jones) apo plejmejker të mirë (Scott Bamforth). Por me lëvizjen e fundit që ka bërë Federata e Basketbollit e Kosovës, mund të shmangë këtë dilemë, shkruan sot Koha Ditore.
FBK-ja të martën, një ditë pas humbjes së thellë ndaj Lituanisë në eliminatore për botëror (106:50), i ka çuar ftesë reprezentuesit të Finlandës, Edon Maxhuni. Maxhuni llogaritet një prej talenteve të mëdha të Evropës në pozitën e fundorit dhe karrierë po bën në kolegjin e SHBA-së, Long Beach State.
Ai ka luajtur për grupmoshat e reja të Finlandës, është afër ekipit A të këtij vendi skandinav, por ka mundësi të ndërrojë fanellë - të përfaqësojë vendin e origjinës - Kosovën në ndeshjet e fundit eliminatore që luhen në verë dhe që janë vendimtare. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).