Sport

Për seleksionuesin e Kosovës, Edvin Kuç është i vjetër

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Primozh Gliha, gjatë konferencës për shtyp në fillim të këtij muaji para ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2024”, thuri lavde për kapitenin e Ballkanit, Edvin Kuç. Por Gliha pati thënë se mesfushori Kuç është i vjetër për t’u ftuar te Përfaqësuesja e Kosovës. Gliha pati thënë se Kosova është e fokusuar të afrojë lojtarë me moshë të re. Moshën e mesfushorit nga Tuzi, Gliha e pati përsëritur tri herë si arsye se pse Kuç nuk bën pjesë në planet e tij. Megjithatë, Kuç nuk është i vjetër për Përfaqësuesen e Malit të Zi. KOHA ka mësuar se ftesa për Kuçin tashmë ka arritur te Ballkani, ndërsa ajo pritet të bëhet publike shumë shpejt, kur Mali i Zi ta publikojë listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e muajit tetor. Kuç, 29-vjeçar, është nga Tuzi dhe deri më tani nuk ka luajtur për Malin e Zi. Ka pasur vlerësime se ai duhet të ftohet nga Përfaqësuesja e Kosovës, por nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim deri më tani. Të paktën, jo ndonjë lëvizje publike.

“Është shumë lojtar i mirë, pikësëpari mendoj se është nga Mali i Zi, pasi e ka flamurin e Malit të Zi dhe jo të Kosovës. Është pak problem me moshën, sepse kemi shumë lojtarë nën moshën 30-vjeçare dhe duhet të sjellim lojtarë të rinj sepse nuk mund të marrim më shumë se 25 vjet dhe duhet t’u japim mundësi lojtarëve më të mirë, sepse është për të ardhmen. Por nëse na duhet për të ardhmen apo këta muaj, do të diskutojmë për këtë. Për shkak të moshës, për shkak të moshës, për shkak të moshës”, pati thënë Gliha më 4 shtator, në konferencën për media para ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2024” në kuadër të Grupit I, kundër Përfaqësueses së Zvicrës dhe Rumanisë. Kuç mbulon pozitën e mesfushorit defansiv, pozitë kjo ku Kosova ka telashe shumë të mëdha. Ka disa vjet që pozita që mbulohet nga mesfushorët defansivë është më e dobëta në Përfaqësuesen e Kosovës. Ndonëse Kuç është shquar me paraqitje të mira te Ballkani dhe ka udhëhequr skuadrën nga Suhareka drejt suksesit në Evropë, Kosova nuk e ka llogaritur deri më tani në shërbimet e tij. Por paraqitjet e mesfushorit punëtor kanë rënë në sy të përgjegjësve të Përfaqësueses së Malit të Zi. Selektori i Malit të Zi, Miodrag Raduloviq, së shpejti pritet ta publikojë listën për dy ndeshjet e muajit të ardhshëm, në të cilën do të jetë edhe Kuç. Më 12 tetor në Podgoricë, Mali i Zi luan miqësore me Libanin. Ndërkohë më 17 tetor, Mali i Zi përballet me Serbinë në Beograd, në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024”. Pra, ka gjasa që Kuç të paraqitet për Malin e Zi ndaj Serbisë. Kuç karrierën e ka nisur te klubi shqiptar i Tuzit, Deçiq. Në Mal të Zi ka luajtur edhe për Mladostin dhe Rudarin, ndërsa për një periudhë ishte te Usti nad Labem i Çekisë. Pjesë e Ballkanit është prej gushtit ë vitit 2020. Me fanellën e Ballkanit, Kuç ka fituar dy herë titullin e kampionit të Kosovës. Kuç është kapiten i Ballkanit, ekip që për vitin e dytë rresht po paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.