Në fundjavë janë organizuar disa ngjarje sportive në nderim të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurtit. Një aktivitet festiv do të organizohet edhe në futboll. Madje pjesë e tij do të jetë edhe një ekip përfaqësues i një vendi që nuk e njeh shtetin e Kosovës. Bëhet fjalë për Greqinë.
Greqia ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, ndërsa në sport dy vendet kanë raporte normale. Kosova ka luajtur disa herë me Greqinë në gara zyrtare, ndërsa grekët tashmë janë ftuar edhe në turneun festiv.
Më 17 shkurt në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali do të organizohet turne i veteranëve. Pos veteranëve të futbollit të Kosovës do të marrin pjesë edhe veteranët e Shqipërisë dhe ata të Greqisë. Prej orës 11:30 do të luhet ndeshja e veteranëve të Kosovës me ata të Greqisë. Prej orës 12:15 është ndeshja e veteranëve të Shqipërisë me ata të Greqisë, ndërsa ndeshja e fundit, Kosovë – Shqipëri, është nga ora 13:00.
Turneu organizohet nën patronazhin e FFK-së.
“Liga e Veteranëve të futbollit kosovar së bashku me tifo-grupin Dardanët, për ditën e Pavarësisë së Kosovës organizojnë turne në të cilin do të marrin pjesë Kombëtarja e veteranëve të Kosovës, Kombëtarja e veteranëve të Shqipërisë dhe Kombëtarja e veteranëve të Greqisë. Turneu mbahet të enjten, më 17 shkurt, nën patronazhin e FFK-së. Ndeshjet zhvillohen në Kampin Nacional në Hajvali. Pas turneut për të gjitha ekipet pjesëmarrëse do të shtrohet një drekë e përbashkët”, ka njoftuar FFK-ja të hënën.
Përfaqësuesja A e Kosovës në futboll i ka luajtur katër ndeshje zyrtare me Greqinë. Ka tri barazime e një humbje. Kosova e Greqia janë rivalë edhe në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Ndeshja e parë luhet më 5 qershor të këtij viti në Prishtinë, ndërsa e dyta menjëherë më 12 qershor në Greqi.