Sport

Për dështimin, përgjegjësia u takon të gjithëve

Ëndrra e Kosovës për t’u kualifikuar në “Euro 2024” është shuar përfundimisht pas humbjes nga Rumania, të martën mbrëma. Këtë e di edhe kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Kryetarit Ademi i vishet një pjesë e madhe e fajit për dështimin e Kosovës për t’u kualifikuar në Evropianin, që mbahet në vitin e ardhshëm në Gjermani. Ashpër janë kritikuar edhe selektori aktual Primozh Gliha dhe ish-selektori Alain Giresse.

“Mendoj se është sikur në fushë. Nëse nuk funksionon ekipi bashkërisht, nuk ka rezultat. Po e njëjta vlen edhe në aspektet e tjera”, ka thënë ish-kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj, të mërkurën për KOHËN.

Rashkaj thotë se ka shumë gjëra që nuk kanë shkuar siç duhet.

“Renditja në tabelë nuk gënjen”, është shprehur ai.

Ai ka bërë thirrje që të bëhet sa më shpejt një plan më i detajuar për të arritur deri te suksesi.

“Duhet një plan më i qartë. Të shohim si duam të jemi në fushë. Me çfarë loje të karakterizohemi, pastaj në bazë të kësaj të marrim trajnerin, lojtarët dhe të punojmë në këtë drejtim për një kohë të gjatë”, është shprehur Rashkaj.

Kapiteni ikonik i Kosovës tani ka nisur karrierë të re. Është njëri prej trajnerëve në ekipin U17 të Halmstadit. I ashpër në kritika për rezultatet negative është edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Thotë se Kosova duhet të ristrukturohet sa më shpejt për t’u bërë gati për ciklin kualifikues të Botërorit 2026.

“U kam treguar me kohë se ka humbur sensi i organizimit te stafi brenda kombëtares dhe kjo u vërejt. Me vendosjen selektor të këtij trajneri e kam ditur se nuk ka kapacitet dhe nuk mund të sjellë as risi. Që nga ky moment duhet ta marrë timonin një trajner shqiptar për ta përgatitur dhe për ta krijuar një kombëtare të re me energji dhe vizion të ri, një disiplinë të lartë, duke iu besuar gjeneratave të reja dhe duke krijuar një mentalitet fitues, sepse e kemi humbur. Nuk duhet të vazhdohet me këtë trajner, sepse ne tash duhet të mendojmë për një organizim të kombëtares sonë për ciklin kualifikues të Botërorit 2026”, ka thënë Batatina për KOHËN.

Batatina nuk u vë faj lojtarëve. Ai insiston se fajin kryesor e kanë selektori Gliha dhe paraardhësi i tij, Giresse.

“Lojtarët nuk kanë faj, fajtor është selektori me stafin. Dështimi ka qenë i pritshëm, pasi ky ka harruar punën e trajnerit. Ka vite që nuk e ka ushtruar këtë funksion. Nëse nuk je aktiv sikurse lojtari e humb kuptimin e punës. Gjërat ndryshojnë nga muaji në muaj e jo nga viti në vit. Gabimi është bërë që në krye të përfaqësueses është vendosur ky (Gliha v.j.) selektor”, ka theksuar Batatina.

Ai shkon edhe më tej me kritika, ndërsa insiston se po ta kishte në duar përfaqësuesen, do ta kualifikonte në “Euro 2024”.

“Kjo skuadër ka potencial dhe do të kishim pasur gjasa të kualifikoheshim. E humbëm një rast. Po jua garantoj se po ta kisha marrë udhëheqjen e kombëtares, do të ishim në Evropian. Dhe, pas kualifikimit do t’ia kisha hapur rrugën dikujt tjetër, por vetëm një herë ta bëjmë krenar këtë popull, sepse kemi vuajtur shumë. Por e di se vuajtjet tona nuk i di as francezi, as zvicerani e as slloveni. Këta kanë ardhur për para, jo për shtetin tonë. Kjo skuadër ka potencial të lojtarëve”, ka thënë Batatina.

Thekson se përgjegjësia për dështimin e radhës së Kosovës u takon të gjithëve.

“Duhet urgjentisht të largohet, nuk na sjell asnjë dobi ky trajner. Përgjegjësinë për këtë dështim e mbajnë të gjithë”, ka thënë trajneri llapjan.

Pas pranimit në UEFA dhe FIFA, Kosovën e kanë drejtuar Albert Bunjaki, Bernard Challandes, Alain Giresse dhe Primozh Gliha. Kosova ka dështuar në të gjitha ciklet kualifikuese për Evropian dhe Botëror. Fitoren e fundit, Kosova e ka arritur më 27 shtator kundër Qipros 5:1. Kjo ndeshje ishte luajtur në Prishtinë dhe i takoi Ligës së Kombeve.