Sport

Pekini konfirmon rregullat e rrepta për Lojërat Olimpike Dimërore

Organizatorët kinezë kanë konfirmuar se pjesëmarrësit në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit të ardhshëm, do të izolohen rreptësisht nga pjesa e përgjithshme e popullatës dhe mund të përballen me përjashtim nga kjo ngjarje për shkelje të kufizimeve të COVID-19. Nënkryetari i Bashkisë dhe zyrtari i komitetit organizativ të LOD “Pekini 2022”, Zhang Jiandong u tha gazetarëve të mërkurën se ata që marrin pjesë në Lojërat Dimërore që fillojnë më 4 shkurt të vitit të ardhshëm, duhet të qëndrojnë në një “qark të mbyllur” për stërvitje, gara, transport, ngrënie dhe akomodim.

Një “flluskë strikte” olimpike ka qenë prej kohësh në mendjen e organizatorëve, por Pekini tani e ka zyrtarizuar atë në përputhje me çasjen e tij të tolerancës zero ndaj pandemisë. Sportistët dhe pjesëmarrësit e tjerë, gjithashtu do të testohen rregullisht për koronavirus para dhe gjatë Lojërave Olimpike Dimërore. Familjarët, spektatorët dhe sponsorët nga jashtë vendit nuk do të lejohen të marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe sportive.

“Të gjithë pjesëmarrësit e Lojërave Olimpike Dimërore, stafi dhe vullnetarët tanë kinezë do të zbatojnë të njëjtën politikë. Ata do të ndahen tërësisht nga shoqëria e jashtme”, insistoi Zhang, duke paralajmëruar dënime të rrepta për ata që nuk i respektojnë rregullat. “Ata që nuk respektojnë rregulloret për parandalimin e pandemisë mund të përballen me pasoja të rënda si paralajmërim, anulim të përkohshëm ose të përhershëm të regjistrimit, skualifikim të përkohshëm ose të përhershëm ose përjashtim nga Lojërat dhe dënime të tjera”.

Të gjithë pjesëmarrësit e Lojërave Olimpike Dimërore duhet të jenë vaksinuar plotësisht dhe të paktën 14 ditë përpara nisjes së tyre për në Kinë. Kina ka zbatuar rregulla të rrepta për mbajtjen e maskave, karantinën dhe gjurmimin e kontakteve duke arritur kryesisht në eliminimin e transmetimit lokal të COVID-19, por rastet e importuara dhe infeksionet vendase vazhdojnë të shfaqen në raportet e përditshme. Organizatorët e LOD “Pekini 2022” kanë pranuar se sfida më e madhe është kontrollimi i mospërhapjes së pandemisë gjatë kësaj ngjarjeje.

“Në të vërtetë, parandalimi dhe kontrolli i pandemisë është sfida më e madhe për ne. Është vështirë të organizosh një ngjarje të tillë të madhe në këtë kohë të vështirë. Megjithatë, ne jemi optimistë se me respektimin e rregullave që tashmë janë të konfirmuara, gjithçka do të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Zhang.

Deri te fillimi i Lojërave Olimpike Dimërore kanë mbetur edhe 100 ditë dhe organizatorët kanë thënë se janë plotësisht të gatshëm për ta pritur këtë ngjarje. Ata po ashtu kanë mbajtur testime me shumë sportistë në vendet ku do të mbahen garat në kuadër të Lojërave Olimpike. Në fakt, Kina vetëm ka përcjellë trendin e masave kufizuese, pasi Japonia gjithashtu ishte e rreptë sa i përket organizimit të Lojërave Olimpike që u mbajtën këtë verë. Në fakt, Lojërat Olimpike të Tokios ishin shtyrë për 12 muaj shkaku i pandemisë së koronavirusit.