Sport

Peja “shkel” Dritën

Skuadra e Pejës është treguar shumë e fortë për Dritën, që e mposhti në ndeshjen hapëse të xhiros së 27-të në Superligën e Kosovës në basketboll. Në duelin e luajtur të premten në palestrën “Karagaçi”, Peja triumfoi me rezultatin e thellë 140:49.

Për Pejën, kjo është fitorja e 18-të këtë edicion që e ngrit në kuotën e 47 pikëve, ndërsa Drita regjistroi humbjen e 27-të në po aq ndeshje të luajtura kampionale këtë sezon. Pothuajse të gjithë basketbollistët e Pejës, shënuan pikë në këtë “duel stërvitor”.

Më efikasi ishte Stephen Maxwell me 37 pikë e 13 kërcime, i përcjellë nga Calvin Godfray (23 pikë, 13 kërcime), Daniel Lekndreaj (22 pikë, 13 kërcime), Dardan Berisha (19 pikë) e Courtney Fells (12 pikë).

Te Drita ishin vetëm dy basketbollistë me pikë dyshifrore. Nart Llapashtica ishte më i dalluari me 18 pikë të shënuara, ndërsa Laurant Ibrahimi shtoi 14 sosh.

Kjo xhiro, që është e parafundit e stinorit të rregullt, do të vazhdojë të shtunën dhe të dielën.

Të shtunën, do të zhvillohen një ndeshje: Bashkimi – Prizreni-16 (20:30). Ndërsa, të dielën do të luhen Sigal Prishtina – Trepça (17:00) dhe Rahoveci – Golden Eagle Ylli (20:30).