Sport

Peja fiton gjysmëfinalen e parë

Pejës i ka takuar ndeshja e parë ndaj Ponte Prizrenit. Në kuadër të gjysmëfinales së plejofit në Superligën e basketbollit, Peja fitoi ndaj Pontes në Prizren me shifrat 100:92, të dielën mbrëma. Ponte Prizreni kishte përfunduar stinorin e rregullt në vendin e parë dhe në gjysmëfinale kaloi direkt. Por Peja e vendit të katërt, ka fituar gjysmëfinalen e parë dhe tashmë ka marrë përparësinë e terrenit vendas. Gjysmëfinalja luhet deri në tri fitore, ndërsa edhe ndeshja e dytë është në Prizren. Më pas dy ndeshje janë në Pejë.

Në çerekfinale, Peja e eliminoi Sigal Prishtinën, ndërsa ka vazhduar suksesshëm edhe në gjysmëfinale.

Brandon Walters udhëhoqi Pejën drejt fitores, duke realizuar 25 pikë e 16 kërcime. AJ Walton shtoi 15 pikë e plot 16 kërcime.

Lis Shoshi kontribuoi në fitore me 11 pikë e dhjetë kërcime.

Te Ponte Prizreni u dallua Divine Myles me 21 pikë e dhjetë asistime. Arti Hajdari shtoi 25 pikë, sa i kishte edhe Kwame Vaughn.