Skuadra e Pejës dhe Golden Eagle Ylli do të synojnë të mbeten të pamposhtura edhe pas xhiros së tretë në Superligën e Kosovës në basketboll, që zhvillohet në mesjavë.
Peja dhe Ylli janë ekipet e vetme që këtë sezon kanë regjistruar nga dy fitore në po aq ndeshje të zhvilluara dhe ndajnë dy pozitat e para në tabelë me nga katër pikë të mbledhura.
Të dy këto skuadra, do t’i luajnë ndeshjet të mërkurën në kuadër të xhiros së tretë, ka njoftuar të martën Federata e Basketbollit të Kosovës.
Peja është mysafire e Ponte Prizrenit derisa Ylli do të luajë në udhëtim ndaj Trepçës, ekip që ende nuk di për fitore. Të dyja ndeshjet do të nisin në orën 19:00. Ndërsa, në të njëjtën kohë do të zhvillohen edhe dy ndeshjet tjera të kësaj xhiroje, që do të luhen të enjten: Rahoveci – Sigal Prishtina dhe Bashkimi – Vëllaznimi.