Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pefqeli dhe Hasanaj rikthehen te Prishtina

Mërgim Pefqeli dhe Donat Hasanaj janë rikthyer te klubi amë, Prishtina, ka konfirmuar klubi nga kryeqyteti i Kosovës.

“Pefqeli pas një viti të kaluar te Llapi, ndërsa Hasanaj pas gjashtë muaj të kaluara te Drita dhe gjashtë muaj te Flamurtari. Pefqeli dhe Hasanaj njihen si dy futbollistë që kanë kaluar të gjitha kategoritë tek shkolla e futbollit F.C. Prishtina, të vlerësuar dhe konsideruar ndër më të dalluarit nga shkolla jonë”, thuhet në njoftim.

Pefqeli thotë se është nder për të të veshë fanellën e Prishtinës.

“Ndjenja e rikthimit është shumë e mirë sepse u ktheva tek klubi i zemrës dhe fëmijërisë. Të bartësh fanellën bardhë e kaltër është nderi i madh, veçanërisht për mua. U ktheva ngase e ndjeva vetën të obliguar të ndihmoj klubin që titulli kampion të kthehet në Prishtinë sepse tifozeria që e kemi e meritojnë t’i shpërblejmë pas shumë vitesh. Unë ju premtoj qytetarëve të Prishtinës dhe tifozëve tanë të flaktë “Plisave” që do të jap 100 % nga vetja ime, që t’ia kthejmë nderin dhe madhështinë klubit duke kthyer titujt në kryeqytet”, ka thënë Pefqeli.

Kurse Hasanaj ka thënë se është emocionuese rikthimi te Prishtina.

“Rikthimi në klubin ku mora hapat e parë si futbollistë është emocionues dhe shumë sfidues njëkohësisht, pasi që ndjehesh i obliguar të japësh gjithmonë më të mirën nga vetja, pasi që bëhet fjalë për klubin e zemrës dhe njëherësh klubin më të madh në Kosovë. Prishtinës është vështirë t’i thuash jo. Çdo futbollist ëndërron që një ditë të vesh fanellën e Prishtinës, sidomos për ne që kemi kaluar gjitha moshat dhe jemi rritur këtu. Klubi është emblema e qytetit dhe njëherësh shpirti i saj. Kemi nevojë të madhe për mbështetje që të arrijmë objektivat së bashku. Shpresoj që këtë vit titullin e kampionit ta kthejmë në Prishtinë bashkë me “Plisat” të cilët në çdo moment janë afër nesh dhe klubit”, ka thënë ai.