Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Paviq, trajner i ri te KB Vëllaznimi

Kroati Branimir Paviq është emëruar trajner i ri te KB Vëllaznimi. Lajmi është konfirmuar për KOHËN nga kryetari i klubit, Kastriot Zherka të mërkurën. Paviq në postin e trajnerit te Vëllaznimi, do ta zëvendësojë Ljupço Malinkovin të shkarkuar ditë më parë shkaku i rezultateve të dobëta.

Paviq menjëherë do ta nis punën te Vëllaznimi dhe do ta udhëheqë ekipin në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës kundër Ponte Prizrenit që zhvillohet të enjten në Suharekë.

“Branimir Paviq është trajneri i ri i ekipit tonë. Kemi arritur marrëveshje deri në fund të sezonit, kurse ai do të jetë në krye të ekipit prej duelit me Ponten”, ka thënë Zherka.

Paviq ka punuar edhe më herët në basketbollin e Kosovës pasi në edicionin 2015/16 ishte në krye të KB Peja.

Vëllaznimi aktualisht renditet në pozitën e fundit në Superligë, me 23 pikë të tubuara pas 19 xhirove të zhvilluara.