Në mungesë të Fidan Alitit dhe opsioneve të tjera për pozitën e mbrojtësit të majtë, selektori i Kosovës, Alain Giresse vendosi që atë pozitë ta mbulojë me një lojtar ofensiv. Dhe vendimi i francezit doli të jetë plotësisht i drejtë.
Donat Rrudhani, që mbuloi krahun e majtë të mbrojtjes, shkëlqeu në ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut, të cilën Kosova e fitoi 3:2, të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”.
Për 23-vjeçarin ishte paraqitja e parë për Kosovën në ndeshje zyrtare. Një vit më parë Rrudhani ishte paraqitur në miqësoret me Guninenë dhe Gambinë, por i është dashur të presë për grumbullim tjetër. Ai u ftua për ndeshjet e këtij muaji, ndërsa ndaj Qipros dhe Greqisë qëndroi në stol.
Fitoi rastin ndaj Irlandës së Veriut dhe fushën e la në minutën e 75-të. Por u shpërblye me duartrokitje nga tifozët pas paraqitjes pozitive.
Rrudhani ditë më parë ka bërë hap para edhe në nivel klubesh. Nga Aarau i kategorisë së dytë zvicerane ka kaluar te Young Boysi, skuadra më e suksesshme zvicerane e viteve të fundit.
Edhe
Rrudhani: Ishte debutim me skenarin më të mirë
“Kalimi te Young Boysi ka qenë gati i kompletuar një javë më parë. Por megjithatë kjo javë ishte me të vërtetë magjike. Është javë që nuk do ta harroj kurrë”, ka thënë Rrudhani të premten për KOHËN.
Java megjithatë nuk është mbyllur ende. Kosova të dielën e luan ndeshjen ndaj Greqisë, që është vendimtare sa i takon vendit të parë në grup në Ligën C të Ligës së Kombeve. Ndeshja luhet në Volos.
Rrudhani ka treguar se nuk ka hezituar të luajë jashtë pozitës së tij kur këtë ia ka kërkuar Giresse. Te Aarau, Rrudhani ka luajtur në pozita të ndryshme në sulm. Ka mbuluar krahët e po ashtu qendrën e sulmit.
“I kam treguar që nuk më pengon dhe se jam i gatshëm të luaj kudo që të ndihmoj ekipin”, tregon Rrudhani bisedën me selektorin Giresse.
Ai është shumë i kënaqur me pritjen që i kanë bërë te Kosova. Ndaj Guinesë dhe Gambisë në qershorin e vitit të kaluar, kishin luajtur kryesisht lojtarë kandidatë për vend në përfaqësuese. Në mesin e tyre edhe Rrudhani.
“Shumë mirë më kanë pritur të gjithë. Kam qenë me të vërtetë i shokuar në aspektin pozitiv me thjeshtësinë e djemve”, thotë Rrudhani, që me paraqitjen e së enjtes ka bërë shumë tifozë në mesin e “Dardanëve”.
Ai pret që ndaj Greqisë të vazhdojë me paraqitje të njëjtë si ndaj Irlandës së Veriut.
“Pas paraqitjes që kisha ndaj Irlandës së Veriut, pres raste të tjera për të dëshmuar cilësitë që kam”, nuk fsheh ambiciet Rrudhani.
Edhe
Donat Rrudhani transferohet te Sioni, firmos deri në vitin 2029
Paraqitja për Young Boysin është shumë më sfiduese se paraqitja te Aarau. Për këtë është i vetëdijshëm Rrudhani. Por në Zvicër ai do të kthehet i motivuar maksimalisht pas debutimit te Kosova.
“Debutimi është shumë motivim i madh dhe hap i madh në karrierë. Këto ndeshje do të më mësojnë shumë se si të menaxhoj presionin e madh”, ka theksuar Rrudhani.