Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Young Boysi e Aarau i shkëmbejnë futbollistët kosovarë

Skuadrat nga Zvicra, Young Boys dhe Aarau, i kanë shkëmbyer futbollistët. Bëhet fjalë për Donat Rrudhanin dhe Shkëlqim Vladin. Rrudhani i është bashkuar Young Boysit, e në shkëmbim Aarau e ka marrë Vladin. Rrudhani me ekipin elitar të Zvicrës ka firmosur kontratë deri në vitin 2026 dhe është prezantuar të mërkurën. Ndërsa, Vladi te Aarau, ekip i divizionit të dytë zviceran, do të jetë deri në verën e vitit 2024.

“FC Aarau nënshkruan me qendërsulmuesin e Young Boysit, Shkëlqim Vladi, deri në vitin 2025. Në këmbim, Donat Rrudhani kalon me efekt të menjëhershëm te Young Boysi”, ishte njoftimi i Aaraut në sajtin zyrtar të mërkurën.

Në fakt, Vladi ishte i huazuar te Aarau në gjashtë muajt e fundit të sezonit 2021/22, ku shënoi katër gola dhe asistoi tri herë në dhjetë ndeshje përpara se të lëndohej. Te Aarau presin shumë prej Vladit në sezonin e ri dhe këtë e ka pranuar edhe drejtori sportiv i klubit, Sandro Burki.

“Është kënaqësi që ne kemi arritur të marrim një sulmues shumë të talentuar si Shkëlqim Vladi. Ai tashmë ka treguar potencialin e tij të madh këtë pranverë. Fatkeqësisht, na mungoi në fund të sezonit për shkak të lëndimit, kështu që ai mundi vetëm të dëshmojë cilësitë e tij për një kohë të shkurtër, por jam edhe më i bindur se do të argëtohemi akoma shumë me të”, shtoi Burki.

Në anën tjetër, te Young Boysi po e vlerësojnë si përforcim të rëndësishëm Rrudhanin për edicionin 2022/23. Në këtë edicion, skuadra zvicerane do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Rrudhani, 23-vjeçar, prej vitit 2019 ka qenë pjesë e Aaraut dhe ka treguar paraqitje të mira për këtë edicion të kategorisë së dytë. Sezonin e fundit ishte kapiten i ekipit me nëntë gola e 12 asistime. Në total, Rrudhani me fanellën e Aaraut ka regjistruar 105 paraqitje, duke shënuar 21 gola dhe asistuar 26 herë.

“Jemi shumë të lumtur që arritëm të nënshkruajmë me Donat Rrudhani. Rrugën e tij, të cilën ai po e ndjek me këmbëngulje, e kemi ndjekur vitet e fundit dhe jemi të sigurt që Donat Rrudhani do të përshtatet shumë te Young Boysi me mentalitetin e tij. Ai mund të përdoret edhe në sulm”, ka shtuar drejtori sportiv i Young Boysit, Chrystoph Spycher.

Edhe Donat Rrudhani transferohet te Sioni, firmos deri në vitin 2029 Futboll Donat Rrudhani transferohet te Sioni, firmos deri në vitin 2029

Edhe Rrudhani ka thënë se me padurim pret t’i bashkohet ekipit të ri në stërvitje. Ai kalimin te Young Boysi e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm në karrierë.

“Ndihem shumë mirë dhe jam krenar që jam lojtar i Young Boysit me efekt të menjëhershëm. Është një hap i madh në karrierën time dhe shpresoj që të vazhdoj të zhvillohem pozitivisht në Bernë”, është shprehur Rrudhani.

Rudhani është reprezentues i Kosovës dhe deri më tani ka regjistruar dy paraqitje, pasi ka luajtur në ndeshjet miqësore ndaj Guinesë dhe Gambisë vitin e kaluar, kur u ftua për herë të parë. Ai është ftuar edhe për ndeshjet e këtij muaji nga përzgjedhësi Alain Giresse, që Kosova i ka në kuadër të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Në dy ndeshjet e para, me Qipron dhe Greqinë, Rrudhani nuk është aktivizuar fare. Me Qipron, Kosova triumfoi në udhëtim 2:0, kurse u mposht nga Greqia në shtëpi, 1:0. Këtë javë, “Dardanët” do t’i luajnë edhe dy ndeshjet e fundit të këtij muaji në kuadër të grupit të dytë të Ligës C. Të enjten mbrëma luajnë me Irlandën e Veriut në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kurse të dielën përballen me Greqinë në udhëtim.