Dy vjet pasi Lionel Messi u largua nga Barcelona, klubi katalan shpreson se e ka gjetur yllin e ri. Fjala është për 16-vjeçarin Lamine Yamal, që rikthehet te Barcelona pas debutimit të shkëlqyer me Spanjën në ndeshjet kualifikuese të Evropianit. Ai shënoi ndaj Gjeorgjisë në fitoren 7:1 dhe u bë golashënuesi më i ri në histori të kualifikimeve të Evropianit, që mbahet vitin tjetër në Gjermani. U bë edhe golashënuesi më i ri i Përfaqësueses së Spanjës. Yamali kishte shënuar tjetër rekord kur luajti titullar për Barcelonën në fitoren ndaj Cadizit, duke u bërë debutuesi më i ri. Ai ende nuk ka shënuar për klubin “blaugrana”, por ishte afër të realizonte në fitoren 4:3 në udhëtim te Villarreali. Megjithatë, te Barcelona presin që Yamal të realizojë gol këtë vikend.
Barcelona, të shtunën nga ora 21:00 do të ballafaqohet me Betisin, në kuadër të xhiros së pestë të La Ligas.
Barcelona është e treta në tabelë me 10 pikë. E dyta është Girona me po aq pikë, ndërsa lider është Real Madridi me 12 pikë.
Real Madridi, të dielën luan në shtëpi përballë Real Sociedadit nga ora 21:00.
Jude Bellingham synon të vazhdojë me formën e përkryer. 20-vjeçari ka shënuar pesë gola në katër ndeshje. Ai shënoi tjetër gol për Anglinë këtë javë në fitoren 3:1 ndaj Skocisë në miqësore.