Sport

Pashke Marku tërhiqet nga përfaqësuesja e Kosovës në moshën 24-vjeçare

Aloja e parë e përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Pashke Marku, ka vendosur t’i japë fund karrierës ndërkombëtare. 24-vjeçarja ka njoftuar të mërkurën se nuk do të luajë më për përfaqësuesen e Kosovës. Ndeshja e së shtunës ndaj Danimarkës në Prishtinë ishte e fundit për Markun me fanellën e Kosovës.

Marku është e lindur në Zuerich të Zvicrës, shtet në të cilin vazhdon të jetojë. Ajo ka disa vjet që luan për Kreuzlingenin në elitën e Zvicrës. Do të vazhdojë të luajë për këtë skuadër, por jo edhe për Kosovën.

Marku deri më tani ishte aloja e parë e majtë në përfaqësuese. Është shquar edhe për lojën në mbrojtje, pos për golat e shënuar. Për Kosovën luajti gjashtë vjet, por me disa shkëputje.

“Trupi është lodhur dhe kam shumë angazhime në vendin e punës. Kjo është arsyeja për tërheqje nga përfaqësuesja”, ka thënë Marku për KOHËN.

Ajo ka thënë se është e gatshme të qëndrojë në përfaqësuese, por në ndonjë pozitë tjetër. Thotë se është e gatshme të kontribuojë nëse ka nevojë për shërbimet e saj.

“Për mua ishte gjithë bota paraqitja për shtetin tim. Jam e lumtur që kemi arritur kaq shumë këta gjashtë vjet. Më kujtohet momenti i parë kur erdha se si ishim dhe si jemi sot. Ka shumë punë, por ecja përpara është e madhe. Duhet të investohet më shumë në përfaqësuese, që lojtaret të jenë më shpesh së bashku që të vijë bashkëpunimi në lojë. Ka shumë gjëra që mund të bëhen, por tani po ua lë radhën të tjerave. Jemi ekip shumë luftarak dhe kemi vajza me kualitet të madh. Si ekip jemi shumë i bashkuar dhe shumë i fortë. Do të ishte shumë mirë që të jetë një trajner që e shikon vetëm kualitetin dhe di të punojë me këtë kualitet që është. Gjithsesi jam shumë e lumtur që kam veshur fanellën e Kosovës”, ka shtuar Marku.

Ajo thekson se ka mundur të luante për Zvicrën, porse ka vendosur për vendin e prejardhjes, Kosovën.

“E kam ditur që luajmë me zemër dhe luftojmë. Kujdesemi për njëra-tjetrën, punojmë bashkë dhe kjo ishte e veçantë për mua. Ka gjëra që nuk mund t’i shtyj tutje dhe jam e lumtur të them që pas gjashtë vjetësh largohem nga përfaqësuesja”.

Marku ka përsëritur se është e gatshme të kontribuojë për Kosovën, por jo duke luajtur.

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll vlerësohet se është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Tashmë luan në kualifikime të rregullta me superfuqitë e hendbollit. Aktualisht në grup i ka Danimarkën dhe Poloninë. Baza e përfaqësueses përbëhet nga lojtaret që hendbollin e kanë mësuar në vende evropiane. Pos në Zvicër, Kosova ka lojtare edhe në Danimarkë, Norvegji, Gjermani e Francë. Disa reprezantuese luajnë edhe në Kosovë.

Kosova i humbi thellë dy ndeshjet me Danimarkën, që është superfuqi e hendbollit. Rastin në kualifikimet për ”Euro 2024” e kërkon ndaj Polonisë në muajin prill. Një pikë mund të jetë e mjaftueshme për kualifikim.