Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

500 gola në elitën e Zvicrës për lojtaren e Kosovës

Sportistët nga Kosova vazhdojnë të prekin nivele gjithnjë e më të larta në sportin zviceran. Të hënën është bërë e ditur se hendbollistja e përfaqësueses së Kosovës, Pashke Marku, ka arritur shifrën prej 500 golave në elitën helvetike.

Marku është ende 23-vjeçare, por tashmë mund të mburret me numrin e madh të golave të shënuar. Ajo luan për Kreuzlingenin në elitën e Zvicrës.

Është sajti zyrtar i Federatës së Hendbollit të Zvicrës që ka njoftuar për të arriturën e veçantë të Pashke Markut. Ajo luan në pozitën e alos dhe te Kosova është prej lojtareve më të mira.

“Pashke Marku e HSC Kreuzlingen ka kaluar kufirin e 500 golave në nivelin më të lartë të hendbollit zviceran. 23-vjeçarja ka luajtur në HSC që nga viti 2011 dhe ka pasur karrierë impresionuese si juniore. Ajo si 13-vjeçare ka luajtur me ekipin U19. Me 15 vjet është bërë e rregullt në ekipin e parë të Kreuzlingenit. Pas një qëndrimi të shkurtër te Spono Eagles, ajo u kthye në vitin 2019 dhe ishte pjesë e rëndësishme e Kreuzlingenit që atëherë”, ka shkruar “handball.ch”.

Federata e Hendbollit e Kosovës e ka uruar Pashke Markun për shifrën jubilare të golave.