Sport

Pas triumfit në Ligën Unike, Peja e synon titullin e kampionit të Kosovës

KB Peja e ka dhënë një sinjal të fortë se këtë edicion e synon me çdo kusht titullin e kampionit të Kosovës, i cili i mungon prej vitit 2013. Të enjten mbrëma, Peja triumfoi në “Final 4” të Ligës Unike duke e mposhtur në finale Golden Eagle Yllin, kampionin në fuqi të kësaj gare. Rezultati ishte 87:72 për ta siguruar trofeun e parë këtë edicion. Në fakt, Peja iu hakmor Yllit për humbjen që i shkaktoi në finalen e edicionit të shkuar, që u luajt në Shqipëri. E me këtë trofe, Peja kanë dhënë sinjal dhe ka paralajmëruar se titulli i Superligës është objektivi i radhës.

Në të vërtetë, kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, thotë se Peja nuk ka dhënë sinjal, por ka konfirmuar se qëllimi i saj pas Ligës Unike është titulli në Kosovë. Berisha ishte më i merituari për triumfin në Ligën Unike pasi u zgjodh edhe MVP i “Final 4”. Me 22 pikë të shënuara, Berisha ishte koshashënuesi më i mirë te Peja ndaj Yllit. Sa i përket Superligës, Peja është në vendin e dytë me 45 pikë, sa i ka edhe Trepça që renditet e treta. Deri në fund të stinorit të rregullt ka mbetur edhe një xhiro, ndërsa në ndeshjen e fundit që luhet këtë vikend, Peja është mysafire e Yllit. Nëse përfundon e dyta në tabelë, Peja do ta nisë plejofin nga seria gjysmëfinale, në të kundërtën do të duhet të luajë në serinë çerekfinale.

“Triumfi në Ligën Unike ka qenë ndër qëllimet e klubit. Tash, qëllimi është për ta fituar edhe kampionatin e Kosovës. Natyrisht, që nuk do të jetë lehtë, por jemi gati. Suksesi në Ligën Unike nuk është sinjal për kampionat, por qëllim”, tha Berisha të premten për KOHËN.

Ndikim në suksesin e Pejës në Ligën Unike, padyshim që pati edhe trajneri nga Maqedonia e Veriut, Marin Dokuzovski. Dokuzovski e mori drejtimin e Pejës para dy muajve, duke e zëvendësuar turkun Shemsettin Bash pas dështimit të Kupën e Kosovës. Me ardhjen e tij në krye të Pejës, Dokuzovski ka bërë edhe ndryshime në ekip duke ndërruar tërësisht lojtarët e huaj. Ai ka thënë se aspak nuk ishte i lehtë triumfi në Ligën Unike, sidomos pas dështimit të Pejës në Kupën e Kosovës, të cilën po ashtu e organizoi në palestrën “Karagaçi”.

“Pas dështimit në Kupë ishte shumë me rëndësi që ekipi të kthehet dhe ta marrë veten në aspektin psikik. Megjithatë, ky ekip ka edhe më shumë kapacitet dhe mund të luajë edhe më mirë, por do të shkojmë hap pas hapi dhe do të shohim. Kam pritur se do të fitojmë në Ligën Unike, por e kam ditur se nuk do të jetë lehtë. Megjithatë, ne jemi përgatitur maksimalisht dhe e kemi merituar plotësisht ta fitojmë Ligën Unike pasi kemi luajtur shumë mirë në përgjithësi”, ka thënë Dokuzovski.

Edhe Dokuzovski pranon se synimi është titulli i kampionit, por shton se nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se këtë edicion të gjitha skuadrat janë të barabarta. Ai ka titull të fituar në Kosovë në vitin 2014 me Prishtinën, ekip me të cilin pati fituar edhe Kupën. Atëbotë, pjesë e Prishtinës ishte edhe Dardan Berisha.

“Pas triumfit me Pejën në Ligën Unike, dua të bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme dhe natyrisht që synimi i klubit, tani është titulli. Nuk jemi në pozitë të mirë në tabelë për shkak se nuk e kemi përparësinë e terrenit, por jemi gati për plejof. Tash për tash, punët po shkojnë mirë. Gradualisht po komponohemi dhe po luajmë më mirë. Jemi në fund të sezonit dhe nuk është lehtë”, u shpreh Dokuzovski. “Peja më ka thirrur edhe para dy vjetësh, por nuk munda të vij. Këtë herë më ftuan t’iu ndihmoj dhe pranova ofertën. Tani, do të synojmë që së bashku të kemi një sezon të suksesshëm”.

Sipas tij, këtë edicion liga është më e barabartë sesa kur ishte para tetë vjetësh dhe ka më shumë klube cilësore, gjë që është e mirë.

“Kjo është e mirë për basketbollin e Kosovës. Këtë edicion klubet janë më të barabarta për kah cilësia dhe gjithkush mund ta mposhtë gjithkënd. Ndërsa, atëherë kishte vetëm dy apo tri ekipe favorite”, shtoi Dokuzovski.