Me gjithë ofertat brenda dhe jashtë vendit, Dardan Berisha vendosi të mbetet te KB Peja, për ta përmbushur misionin për të cilin ishte kthyer. Berisha, në janar të vitit të shkuar, u kthye te Peja pas shtatë vjetësh, me premtimin për ta kthyer edhe titullin e kampionit, trofe që klubi nuk e ka fituar prej vitit 2013. Në fakt, Berisha ishte pjesë e Pejës kur e fitoi titullin para tetë vjetësh.
Ai në sezonin e ri, do të jetë kapiten dhe lider i Pejës, si dhe është i vendosur për ta mbajtur premtimin e dhënë vitin e shkuar. Në sezonin 2019/20, Berisha e fitoi Kupën e Kosovës me Pejën, por garat u ndërprenë për shkak të koronavirusit. Ndërsa, edicionin e shkuar, Peja mbeti pa asnjë trofe, pasi u mposht në finale të plejofit të Superligës së Kosovës dhe Ligës Unike. Në të vërtetë, Berisha ka thënë se krahas titullit të kampionit, synim i Pejës në sezonin e ri, do të jenë të gjithë trofetë. E të parin, pejanët mund të fitojnë qysh këtë javë. Të mërkurën nis turneu i Superkupës së Kosovës, që do të zhvillohet në Prishtinë, deri të dielën. E ndeshjen e parë, Peja do ta luajë në çerekfinale kundër Prishtinës, të mërkurën prej orës 19:00. Në turneun e Superkupës, do të marrin pjesë që të tetë ekipet e Superligës së Kosovës në basketboll.
“Te Peja jam në shtëpi, kam dashur të qëndroj për shkak të familjes, ndonëse ofertat nuk më kanë munguar. Edhe synimet e klubit më kanë konvenuar, pasi në sezonin e ri, luajmë për trofe. Edicionin e kaluar ishim afër, por u mposhtëm në dy finale. Misioni im te Peja nuk ka përfunduar, pasi këtë sezon shpresoj t’ia arrijmë së bashku qëllimit dhe t’i fitojmë trofetë”, është shprehur Berisha për KOHËN. “Te Peja u ktheva vitin e shkuar për titull, por liga u ndërpre edhe pse e kishim dukshëm ekipin më të mirë. Misioni im nuk ka përfunduar dhe shpresoj ta fitoj titullin këtë sezon. Nuk do të jetë aspak lehtë, sepse do të duhet shumë punë dhe do të ketë shumë lojë, por shpresoj që i gjithë ky mund do të na shpërblehet në fund me titull”.
Madje, ai tha se një prej ofertave konkrete i erdhi nga Franca, dhe gjithçka ishte gati për kalimin e tij. Mirëpo, kapiteni i Kosovës, vendosi të mbetet në shtëpi, të paktën edhe për këtë sezon.
“Kam pasur oferta edhe nga shtetet tjera dhe Franca konkretisht, por nuk më ka konvenuar të largohem për arsye familjare. Jam koncentruar këtu dhe dua ta ndihmoj ekipin tani për tani. Mirëpo, të ardhmes nuk i dihet”, shtoi Berisha.
Berisha beson se Peja këtë sezon ka ekip më të mirë sesa sezonin e shkuar. Megjithatë, ai shpreson që të mos ketë probleme me lëndimet sikurse edicionin e shkuar, që e penguan ta ndihmojë ekipin. Peja për sezonin 2021/22 e ka kthyer trajnerin Shemsettin Bash, si dhe lojtarin kroat Henrik Shirko që ishte pjesë e klubit në edicionin 2019/20. Gjithashtu, ka mbajtur edhe Lis Shoshin, pastaj ka sjellë edhe lojtarë si Matt Neufeld, Erdem Ilter, Daniel Lekndrejaj e Arian Qallaku.
“Shpresoj që të mos kem lëndime sikurse edicionin e shkuar. Gjatë tërë sezonit me kanë përcjellë problemet dhe ka qenë vështirë të kthehem në formën ideale. Tani, jemi kompletuar për sezonin e ri dhe po komponohemi gradualisht. Edhe këtë vit kemi një ekip shumë të mirë”, ka thënë Berisha.
Ai është i bindur se këtë sezon, liga do të jetë shumë e fortë dhe me rivalitet të madh për trofe. Mbi të gjitha, Berisha shpreson që tifozët të kthehen në tribuna pasi po vërehet shumë mungesa e tyre. Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), njoftoi se turneu i Superkupës do të zhvillohet pa shikues për shkak të masave të reja kundër COVID-19.
“Po besoj që liga do të jetë shumë më e fortë se vitin e shkuar. Gjithashtu, edhe Trepça ka bërë ekip shumë të mirë për sezonin e ri. Në përgjithësi, do të ketë konkurrencë më të madhe. Shumë po shpresoj që tifozët të kthehen dhe t’i japin hijeshi ligës, sepse pa ta po është shumë vështirë të luajmë”, pranoi Berisha.
Në sezonin e ri, Peja, krahas Superligës, do të paraqitet edhe në Ligën Unike dhe Ligën Ballkanike. Me gjithë orarin e ngjeshur të ndeshjeve, Berisha tha se Peja do të jetë e gatshme për këtë sfidë. Sezonin e shkuar, Golden Eagle Ylli e fitoi titullin dhe Ligën Unike, ndërsa Sigal Prishtina ishte fituese e Kupës dhe Superkupës së Kosovës.
“Ka për të qenë më vështirë dhe ngarkesa do të jetë po ashtu më e madhe. Do të jetë një sfidë e re për Pejën të paraqitet në tri liga, por besoj se jemi të gatshëm ta përballojmë. Do të ketë më shumë lojë dhe do të jetë shumë më interesant”, u shpreh Berisha.
Mirëpo, fokusi aktual i Berishës është te turneu i Superkupës, pasi dëshiron që sezonin 2021/22 ta nisë me trofe. Me këtë turne, edhe zyrtarisht nis edicioni i ri i basketbollit të Kosovës. Peja nuk e ka fituar Superkupën që nga viti 2015. Turneu i Superkupës, pritet të jetë interesant për shkak se të gjitha skuadrat kanë bërë përforcime. Të mërkurën dhe enjten, do të zhvillohen ndeshjet çerekfinale, për të vazhduar me gjysmëfinalet të premten, ndërsa të dielën do të luhet finalja.
Çiftet e Superkupës
E mërkurë
Prizreni 16 – Drita (16:00)
Peja – S. Prishtina (19:00)
E enjte
Rahoveci – Trepça (16:00)
G.E. Ylli – Bashkimi (19:00)