Sport

Pas triumfit në Botëror, Lyles synon të thyej rekordet e Boltit

Noah Lyles tha të hënën se rekordet botërore të Usain Boltit janë në dorën e tij, pas medaljes së artë të fituar në 100 metra në Kampionatin Botëror të atletikës në Budapest. “Në kokën time mendoj se do ta thyej”, tha 26-vjeçari amerikan për “SNTV” duke qeshur. “Unë kam në plan ta thyej rekordin”.

Lylesit nuk i mungon vetëbesimi. Ai shtoi se është mësuar të jetojë me titullin “Njeriu më i shpejtë në botë” – sepse është e vërtetë!

“Unë gjithmonë e kam ditur se jam njeriu më i shpejtë në botë”, është shprehur ai.

Ai fitoi të artën me kohë prej 9.83 sekonda të dielën. Bolt mban rekordin me kohë prej 9.58 sekonda. Rekordin e pati vendosur në Botërorin në Berlin në vitin 2009. Ish-atleti nga Xhamajka pati vendosur rekord edhe në 200 metra. Rekordi është 19.19 sekonda. Pritjet janë që rekordi të thyet të premten kur edhe do të mbahet finalja në 200 metra.