Volejbollistët e Pejës e patën të vështirë pjesën e rregullt të kampionatit. Por në fund fituan titullin e tretë rresht në Superligën e Kosovës.
Peja të shtunën e siguroi titullin e gjashtë në histori. Në ndeshjen e pestë të serisë finale të plejofit mposhtën Ferizajn me rezultatin 3:1 në sete. Ndeshja e pestë, që përcaktoi edhe fituesin e titullit të edicionit 2022/2023, u zhvillua në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Kapiteni i Pejës, Agron Nikçi, ka thënë se gara për titull të kampionit ka qenë e fortë.
“Është hera e tretë radhazi që shpallemi kampionë të Kosovës, por këtë herë kampionati ka qenë shumë më i vështirë. Ekipet kanë qenë të forcuara dhe ne kemi hyrë në plejof nga vendi i katërt. Patëm vështirësi gjatë kampionatit, por luftuam shumë dhe arritëm të bëhemi kampionë sërish. Besoj kjo është një arsye edhe më e madhe që si kapiten të jem i kënaqur për këtë triumf”, ka thënë Nikçi të dielën për KOHËN.
Peja në finalen e pestë, setin e parë e fitoi 25:23, të dytin 25:20 dhe të katërtin 25:17. Seti i tretë i takoi Ferizajt, 25:21.
Si në Ferizaj ashtu edhe në Pejë ndeshjet finale tërhoqën shumë shikues. Peja në gjysmëfinale të plejofit eliminoi Dritën, kurse Ferizaj e kaloi skuadrën e Skënderbeut.
“Kur je kampion në fuqi, përgjegjësia është më e madhe në çdo ndeshje dhe dëshira e madhe për fitore vjen edhe kur kundërshtarët janë më të fortë. Sivjet kjo ka qenë evidente në Superligë, ku të gjitha ekipet kanë qenë thuajse të barabarta dhe kjo na ka motivuar që të japim më shumë për fitore”, ka theksuar Nikçi.
Paraqitja e denjë në garat ndërkombëtare është synimi i radhës i Pejës.
“Ne jemi nënkampion ballkanik. Në garat ndërkombëtare dihet se është një konkurrencë e fortë, por presim të bëjmë paraqitje sa më dinjitoze e pse jo edhe të korrim ndonjë sukses”, ka thënë kapiteni Nikçi.
Peja ka fituar edhe pesë Kupa dhe një Superkupë të Kosovës. Rol në suksesin e Pejës ka pasur edhe Skender Lajqi.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e sukseseve të Pejës, pjesë e sukseseve të klubit të zemrës ku i kam bërë hapat e parë dhe jam ndërtuar si volejbollist. Është sukses i veçantë të jesh kampion. Peja po vazhdon ta shkruajë historinë me suksese të shumta në nivel vendi, por edhe me paraqitje të shumta në arenën ndërkombëtare. Tashmë po krijojmë traditë suksesi në këtë sport. Peja do të mbetet e përkushtuar për suksese të reja”, ka thënë Lajqi. Ai është kapiten i Kosovës.
Kupën e Kosovës e ka fituar Skënderbeu, që pati mposhtur në finale Pejën.