FC Suhareka ka dalë me njoftim pas përfundimit të ndeshjes së Ligës së Parë – Grupi A, ndërmjet Istogut dhe Suharekës. Istogu dhe Suhareka barazuan 1:1 në kuadër të xhiros së pestë.
“Ngjarje skandaloze pas përfundimit të ndeshjes nga futbollistët, zyrtarët dhe shikuesit e pranishëm në stadium. Skena të tilla vetëm sa e dëmtojnë imazhin e futbollit kosovar në përgjithësi. Kërkojmë nga organet kompetente dhe nga organet brenda FFK-së të marrin vendimet e duhura”, ka shkruar Suhareka në Facebook. Incidentet në këtë ballafaqim kanë ndodhur pas përfundimit të ndeshjes, pasi rezultatin në 1:1, Suhareka e kishte barazuar në minutën e 96-të. Më pas ka pasur protesta nga ekipi vendës se pse nuk është përfunduar ndeshja më herët.
KOHA mëson nga burimet brenda skuadrës së Suharekës se dy lojtarë të Istogut kanë sulmuar Liridon Fetahajn pas krijimit të tollovisë në fushë, ndërsa shikuesit kanë hedhur me gjësende të forta nga tribunat ku ishin të vendosur, por nuk kanë hyrë në fushë. Istogu nuk ka reaguar pas ngjarjeve të fundit. Në Facebook ka njoftuar vetëm për përfundimin e ndeshjes me barazim. Për Istogun ka shënuar Granit Arifaj në minutën e 85-të, kurse për Suharekën ka shënuar Mevlan Zeka, në minutën e gjashtë të shtesës. Reagim nuk ka pasur as nga Federata e Futbollit e Kosovës.