Azem Brahimi e vlerëson të suksesshëm qëndrimin për një dekadë në Çeki. Lojtari i futsallit thotë se karrierën mund ta vazhdojë edhe në ndonjë shtet tjetër. Mirëpo, ka theksuar se këtë do ta bëjë vetëm pasi ta mbyllë sezonin aktual në Kosovë. Brahimi ditë më parë është rikthyer në futsallin e Kosovës dhe ka firmosur me kampionin në fuqi, Liqenin. Te skuadra e Liqenit, Brahimi është transferuar nga Sparta e Çekisë. Liqeni është kandidat edhe këtë vit për titullin e kampionit, ndërsa Brahimi thotë se tek ekipi nga Drenasi është transferuar për të fituar trofe.
“Jam kthyer pas dhjetë vjetësh në Kosovës, shkaku i familjes më shumë. Por nuk i dihet. Ndoshta, pas këtij sezoni ka mundësi të luaj në ndonjë shtet tjetër, por jo në Çeki. Më është dashur të kthehem për të qenë afër familjes. Jam i lumtur që sërish do të luaj në Superligën e futsallit të Kosovës”, ka thënë Brahimi të martën për KOHËN. “Gjithë potencialin dhe përvojën time të marrë jashtë vendit do të mundohem ta shpalos në palestra të ndryshme të Kosovës. Liqeni është ndër ekipet më të organizuara në Kosovë dhe jam i lumtur që jam pjesë e Liqenit”.
Para se Brahimi të kalonte në Çeki, fillimisht te Benago dhe pastaj te Sparta, ai në Kosovë ka luajtur për ekipet Bamboo dhe Feniks. Me të dy ekipet e ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën, ndërsa sukseset nuk i kanë munguar as në Çeki. Brahimi vlerësohet ndër lojtarët më të mirë që janë aktualisht në Superligën e futsallit. Karriera e tij në Çeki ka qenë e bujshme.
“Kam kaluar një periudhë shumë të mirë. Jam i kënaqur me gjithçka që kam fituar në karrierë. Në sezonin 2018/2019 jam shpallur kampion dhe kam fituar Kupën e ligës. Në sezonin 2015/2016 jam shpallur lojtari më i mirë, golashënuesi më i mirë dhe MVP. Kam mbi 200 lojë të luajtura dhe ndër to 170 gola të shënuar”, ka thënë Brahimi.
Brahimi, i cili gjithashtu është edhe reprezentues i Shqipërisë, tha se synimet i ka të qarta me Liqenin.
“Synimet e klubit dihen tashmë, mbrojtja e titullit të kampionit dhe ta fitojmë sërish Kupën. Do të ishte sukses i jashtëzakonshëm, si për mua ashtu edhe për klubin. Paraqitja në Ligën e Kampionëve është diçka e jashtëzakonshme. Është kënaqësi të paraqitem sërish pas një kohe të gjatë në futsallin e Kosovës. Është ngritur niveli goxha shumë dhe ka lojtarë të cilësisë së lartë në ekipet e Kosovës”, ka thënë 33-vjeçari.
Aktualisht Liqeni është i treti në tabelë me 19 pikë të mbledhura, dy më pak se Prishtina që renditet e para.