Gabimi i Dritës në derbin me Gjilanin ka bërë që Ballkani të ketë në dorë fatin e titullit të kampionit të Kosovës në futboll. Ballkani po garon për ta mbrojtur titullin, ndërsa dy xhiro para fundit udhëheq në tabelë me 69 pikë. Ballkani të dielën fitoi 1:0 ndaj Llapit dhe pas ndeshjes festuan lojtarët dhe tifozët e ekipit suharekas.
Me fitoren ndaj Llapit, Ballkani ka kaluar në pozitën e parë në tabelë. Por këtë ia ka mundësuar edhe barazimi 1:1 i Dritës në derbin lokal me Gjilanin. Drita ka humbur pozitën e parë dhe tani është e dyta me 67 pikë. Gara është plotësisht e hapur, por tani Ballkani është më i favorizuar.
Albion Rrahmani ka shënuar golin e fitores së Ballkanit ndaj Llapit, që renditet i gjashti me 42 pikë.
Në Gjilan, derbi lokal nuk dha fitues. Kështu barazimi 1:1 mund të jetë vendimtar në garën për titull. Gjilani renditet i treti me 52 pikë dhe gati e ka siguruar daljen në Evropë.
Rron Broja shënoi në pjesën e parë për Dritën, ndërsa Mevlan Zeka ktheu në gol një penallti diskutabile. Ajo u dha për lojë me dorë në zonë dhe vetëm pas rishikimit të VAR-it për më shumë se pesë minuta. Kishte tensione në fushë në ndeshjen në Gjilan, por jo edhe fitues.
Ballkanin e presin dy ndeshje jo të lehta deri në fund. Në xhiron e ardhshme e pret Ferizajn, që po lufton për secilën pikë në tentim për të siguruar mbetjen në elitë. Ndërkohë në xhiron e fundit Ballkani i shkon Gjilanit.
Drita ka orar pak më të favorshëm. Në xhiron e ardhshme e pret Malishevën e në fund luan në udhëtim ndaj Drenicës tashmë të dorëzuar.
“Është sakrifica e djemve që bëri të mundur që dy javë para fundit të kryesojmë tabelën. Duhet të jemi me këmbë në tokë pasi kemi edhe dy ndeshje. Duhet të festojmë në momentin e duhur, sepse futbolli nuk mund të parashikohet. Duhet të kënaqemi pak, por duhet të jemi seriozë që ta mbyllim kampionatin me plot sukses”, ka thënë trajneri i Ballkanit, Ilir Daja.
Ballkani është në momentin më të mirë prej ekzistimit. Është kampion në fuqi, ka pasur kampanjë shumë të suksesshme në Evropë dhe po marshon drejt titullit të ri.
Ndeshjet e xhiros së 34-t ishin me shumë peshë edhe në garën për ekzistencë. Ferizaj ka bërë hap të madh drejt mbetjes në Superligë, falë fitores 1:0 ndaj Trepçës ’89. Ferizaj doli në vendin e tetë me 38 pikë. ‘89-shi ra në vendin e nëntë me 37 pikë. Malisheva është e shtata me 40 pikë. Në fund të kampionatit, pozitat nëntë e dhjetë dërgojnë në kategorinë e dytë. Pozita e tetë dërgon në barazh e pozita e shtatë siguron mbetjen në Superligë.
Në xhiron e ardhshme Ferizaj luan në udhëtim te Ballkani, ndërsa ndeshje të vështirë ka edhe Trepça ’89 që përballet me Dukagjinin në Klinë. Malisheva luan në udhëtim ndaj Dritës.
Në xhiron e fundit Ferizaj e pret Dukagjinin, ‘89-shi pret Prishtinën, kurse Malisheva e pret Llapin.