Hagë, 28 qershor (AP) – Pas një pritjeje shtatëvjeçare për një vend në një turne të madh, Holanda mori tri fitore kundër kundërshtarëve të lehtë dhe një humbje përulëse ndaj Çekisë. Ajo që dukej si një super e diel për tifozët holandezë të sportit pas fitores së Max Verstappenit në Formula 1 dhe Mathieu va nder Poelit në “Tour de France”, doli të bëhej e hidhur kur Holanda humbi 2:0 në Budapest dhe u eliminua nga Kampionati Evropian. Turneu tjetër, Botërori “Katari 2022”, do të jetë një rrugë e gjatë për një ekip që lufton me identitetin e tij.
Përveç pranimit të dy golave në pesë minuta ndaj Ukrainës në fitoren hapëse 3:2 të “Euro 2020”, holandezët dukeshin kryesisht të trazuar kundër kundërshtarëve të klasifikuar, pasi ata gjithashtu mundën Austrinë 2:0 dhe Maqedoninë e Veriut 3:0. Por kritikat ndaj vendimit të trajnerit Frank de Boer për të luajtur me një formacion me tre mbrojtës, pesë mesfushorë dhe dy sulmues që ishin heshtur kryesisht nga fitoret e para, u kthyen pas humbjes në Budapest.
Raporti i ndeshjes të hënën në të përditshmen kombëtare “De Volkskrant” e akuzoi De Boerin për “prishjen e identitetit të një kombi unik futbolli” me stilin e lojës së ekipit të tij. Pas ndeshjes të së dielës në “Pushkassh Arena”, De Boer e mbrojti zgjedhjen e tij të diskutueshme për të braktisur në masë të madhe formacionin tradicional holandez të katër mbrojtësve, tre mesfushorëve dhe tre sulmuesve. Shumë këmbëngulin në formacionin sulmues 4-3-3 dhe llojin e futbollit sulmues të rrjedhës së lirë që gjeneron prej tij, por De Boer tha se nuk kishte lojtarë për ta bërë atë të funksionojë.
“Ne bëmë këtë zgjedhje sepse mendoj se lojtarët tanë më të mirë luajnë më mirë në sistemin 3-5-2”, tha De Boer.
Kjo nuk e qetësoi gazetën “De Telegraaf”, titulli i së cilës në ditën e të hënë lexonte: “Oranje pagoi çmimin për budallallëkun e De Boerit”. Pyetjet në lidhje me të ardhmen e De Boerit si trajner gjithashtu u bënë menjëherë pas ndeshjes. Ai tha se ishte herët për të spekuluar, por nuk e fshehu zhgënjimin e tij ose rolin e tij që e pati në humbje, saktësisht eliminim nga “Euro 2020”. “Unë jam përgjegjësi në fund të ditës, kështu që gjithmonë mund të më fajësoni mua”, tha De Boer. “Unë kam nevojë të shikohem në pasqyrë”.
Një nga përfituesit kryesorë të formacionit të diskutueshëm ishte mbrojtësi i krahut, Denzel Dumfries, i cili me dy golat e parë ndërkombëtarë u shndërrua në yllin e dy ndeshjeve të para të ekipit. Holanda hyri në turneun e saj të parë të madh qëkur arriti në gjysmëfinale të Botërorit të vitit 2014 të mbajtur në Brazil, pa kapitenin e saj që ka jashtëzakonisht ndikim, Virgil van Dijkun, i cili është ende duke punuar për t'u kthyer pas një dëmtimi të gjurit në që e pësoi në tetor të vitit të shkuar. Udhëheqja e tij qetësuese i mungoi shumë të dielën Holandës, e cila në pjesën e dytë pas mbeti edhe pa qendërmbrojtësin tjetër, Matthijs de Ligt, që u përjashtua me karton të kuq pasi luajti me dorë.
Zëvendësimi i Van Dijk si kapiten, mesfushori Georginio Wijnaldum, gjithashtu nuk arriti të kryesonte me shembull ndërsa çekët “mbytën” holandezët, duke mos i lejuar ata që të kenë as një goditje të vetme në portë.
“Nuk luajtëm aspak mirë”, tha Wijnaldum, i cili u transferua nga Liverpool te Paris Saint-Germani në prag të turneut. “Duhet të jemi të sinqertë për këtë. Eliminimi dhemb shumë”.
De Boer tha se ai e njeh mirë ndjenjën e zhgënjimit që nga koha e tij si mbrojtës në ekipin e Holandës që humbi në gjysmëfinale të “Euro 2000” nga Italia pas gjuajtjes së penalltive. De Boer e humbi një penallti gjatë ndeshjes dhe një tjetër në serinë e penalltive që përcaktonte fituesin.
“Në vitin 2000 unë e provova ndjenjën se duhet të kishim shkuar më tej dhe kjo më dhemb shumë”, tha De Boer.
Pyetja tani është nëse De Boer do të jetë gati për të vazhduar kampanjën eliminatore për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Holanda është e dyta në grupin e saj kualifikues pas Turqisë, një ekip që kishte një paraqitje më zhgënjyese sesa holandezët në “Euro 2020”. I pyetur për të ardhmen e tij në një intervistë për transmetuesin kombëtar holandez “NOS”, De Boer tha se ende është shumë herët për të marrë një vendim.
“Unë nuk kam pse t'i përgjigjem kësaj pyetjeje tani”, tha De Boer. “Ne do të mendojmë me qetësi për këtë. Për momentin kam një dhimbje koke të pabesueshme, së bashku me të gjithë lojtarët dhe tifozët”, pranoi De Boer.