Partizani i Tiranës ka shprehur interesim që gjatë miniafatit kalimtar të janarit të përforcojë repartin ofensiv me sulmuesin e Llapit, Mirlind Daku.
E përditshmja "Panorama Sport" ka raportuar se Partizani tashmë ka nisur negociatat me Dakun dhe gjasat janë të mëdha që ato të mbyllen me sukses.
Daku, 19-vjeçar, këtë edicion po shkëlqen te Llapi. Ai është lider i Vala Superligës me nëntë gola të shënuar si dhe pjesë e Përfaqësueses U-21 të Kosovës.
"Futbollisti që po shkëlqen në kampionatin kosovar, Mirlind Daku, ka filluar bisedimet me Partizanin. Palët janë takuar dhe sulmuesi shtatlartë ka dëgjuar ofertën e Partizanit. Ai shihet si një lojtar me të ardhme të ndritur", ka shkruar gazeta shqiptare.
Krahas Dakut, Partizani po synon edhe sulmuesin tjetër nga kampionati i Kosovës, Betim Haxhimusën e Gjilanit.