Klubi i Parmës e ka prezantuar portierin Gianluigi Buffon. Legjenda italiane është rikthyer te Parma pas 20 vjetësh.
Ai ishte transferuar te Juventusi në vitin 2001. Buffoni ka nënshkruar kontratë dy-vjeçare. Ajo që bie në sy ishte prezantimi i veçantë që i është bërë portierit italian, i cili paraqitet si “Superman”.
“Ai është përsëri aty ku i takon. Ai është kthyer në shtëpi”, thuhet në njoftimin e Parmës.
Me Parmën, Buffoni kishte fituar Kupën dhe Superkupën e Italisë dhe Kupën e UEFA-s që sot njihet me emrin Liga e Evropës.
43-vjeçari u largua nga Juventusi si lojtar i lirë. Me “Zonjën e Vjetër” ka fituar 10 tituj në Serie A, ka një titull me PSG-në në Francë si dhe e ka fituar Kupën e Botës me Italinë në vitin 2006.