Alan Pardew është larguar nga CSKA-ja e Sofjes me efekt të menjëhershëm për shkak të fyerjeve raciste që kanë bërë disa tifozë të klubit.
Trajneri anglez 60-vjeçar u bë drejtor teknik i klubit bullgar në muajin nëntor të vitit 2020, para se të bëhej trajner në muajin prill.
Por, Pardew u largua nga skuadra për shkak të një “grupi të vogël të tifozëve racistë e të organizuar” të CSKA-së.
“Për fat të keq, koha ime ka mbaruar. Ato që ndodhën para dhe pas ndeshjes me Botevin nuk ishin të pranueshme për mua, asistentin tim Alex Dyer, apo për futbollistët tanë”, ka thënë të mërkurën Pardew, për faqen zyrtare të klubit.
Fyerjet në baza racore të tifozëve të CSKA-së së Sofjes kishin ndodhur më 19 maj, në ndeshjen në shtëpi kundër Botev Plovdivit.