Ibrahim Hamadtou ka mahnitur shikuesit duke luajtur pingpong me gojë në Lojërat Paralimpike “Tokio 2020”, pasi kishte humbur të dy krahët në moshën dhjetëvjeçare. Lojërat Paralimpike, që u hapën zyrtarisht të martën, janë të mbushura me sportistë frymëzues që kapërcejnë aftësitë e tyre të kufizuara në mënyra të mahnitshme dhe tifozët u mahnitën nga arritja e Hamadtou në garat kualifikuese të pingpongut të klasës së gjashtë. Ndaj kundërshtarit nga Koreja e Jugut, Parkut Hong-ky, pingpongisti nga Egjipti tregoi aftësitë e tij. Klasa e gjashtë është e hapur për sportistët që mund të qëndrojnë në këmbë, por kanë dëmtime në krahët dhe këmbët.
Hamadtou ka bërë një karrierë mbresëlënëse, pavarësisht humbjes së krahëve në një aksident treni kur ishte ende fëmijë, që do të thotë se kontrollon raketën e pingpongut me gojën e tij dhe topin e hedh me këmbë për ta shërbyer. Pasi fillimisht e mbante raketën në vendin ku ishte në krahun e tij, Hamadou e përsosi teknikën për ta mbajtur atë me gojë dhe arriti të fitojë medalje të argjendta në Kampionatin e Afrikës, në vitet 2011 dhe 2013. Si ylli i pingpongut me aftësi të kufizuara, Hamadou e bëri debutimin e tij në Lojërat Paralimpike të vitit 2016 që u mbajtën në Rio de Janeiro të Brazilit. Atëbotë, ai ishte 43-vjeçar. Ndërsa, në Tokio edhe pse ka 48 vjet, Hamadou vazhdon të garojë kundër sportistëve më të mirë të klasës së tij. Në një intervistë të mëparshme, Hamadou shpjegoi se futbolli ishte sporti i vetëm që ai mund ta luante pas aksidentit që e pësoi.
“Në fshatin tonë, ne në atë kohë mund të luanim vetëm pingpong dhe futboll. Kjo edhe është arsyeja që i kam luajtur të dy sportet njëkohësisht. Në fillim, ishte logjike që të luaja vetëm futboll për shkak të rastit tim. Mirëpo, pastaj pingpongun e mora si një sfidë dhe iu përkushtova tërësisht”, ka thënë Hamadou. “Ishte mjaft vështirë të luaja pingpong pas aksidentit dhe të adaptohesha me këtë sport. Më duhej të stërvitesha shumë. Jam stërvitur çdo ditë për tre vjet rresht derisa e kam perfeksionuar teknikën”.
Ai ka thënë se në fillim pingpongun e nisi vetëm si hobi, por ishin njerëzit që e motivuan të merret me këtë sport dhe të marrë pjesë në garat e sportistëve me aftësi të kufizuara.
“Në fillim, njerëzit ishin të habitur që më shihnin duke luajtur pingpong. Mirëpo, më vonë ata filluan të më përkrahin dhe të inkurajojnë. Ata ishin krenarë për vullnetin dhe këmbënguljen time, kështu që më motivuan për të vazhduar më tej dhe tani jam shumë i lumtur dhe krenar me sportin që e kam përzgjedhur, pingpongun”, shprehet Hamadou.
Megjithatë, Hamadou u mposht nga jug-koreani Park, i cili triumfoi 3:0 (11-6, 11-4, 11-9) në sete. Pingpongisti nga Koreja e Jugut, gjithashtu, është një veteran i skenës dhe njëri prej më të mirëve. Ai ka fituar medaljen e artë në Lojërat Paralimpike të Azisë në vitin 2014. Park pësoi dëmtime të shpinës dhe qafës pas një aksidenti në vitin 2005, si pasojë e të cilit ai a ka të dëmtuar lëvizjen në pjesën e sipërme dhe të poshtme të trupit të tij. Mirëpo, shikuesit u mahnitën nga spektakli në meçin kundër egjiptianit Hamadou. Ata mbetën të habitur me teknikën e veçantë të tij dhe menjëherë pas meçit reaguan me postime të shumta nëpër rrjetet sociale.
“Çfarë sportisti i talentuar, më saktësisht i jashtëzakonshëm”, ishte postimi i një tifozi të Lojërave Paralimpike në rrjetin social “Twitter”.