Mesfushori 26-vjeçar i West Ham Unitedit, Lucas Paqueta, mund të ndryshojë ambient në afatin kalimtar të verës, por jo edhe kampionat.
Braziliani pritet të transferohet te skuadra e Manchester Cityt, nëse “qytetarët” e largojnë Bernardo Silvan, 29-vjeçar.
Portugezi Silva ka kontratë deri në vitin 2026, ndërsa interesim për të kanë shprehur ekipe si Barcelona, Paris Saint-Germaini e klube të elitës së futbollit të Arabisë Saudite.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, Silva vazhdoi kontratën me Cityn.
“Mundo Deportivo” ka raportuar të shtunën se Barcelona mund ta paguajë klauzolën prej 50 milionë eurove për t’i siguruar shërbimet e tij.
Silva u transferua nga Monaco në verën e vitit 2017 dhe ka qenë prej lojtarëve më të mirë te skuadra e Manchester Cityt.