Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Panucci “Kuqezi” edhe zyrtarisht, nuk paralajmëron revolucion

Christian Panucci është edhe zyrtarisht trajner i Kombëtares shqiptare të futbollit. Tekniku italian dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka firmosën kontratat në konferencën e shtypit të thërritur në orën 11:00.

Presidenti Duka shprehu bindjen se Panucci është emri i duhur, megjithëse përvojën e tij në trajnim e quajti modeste. Objektiv mbetet kualifikimi në Euro 2020.

“Një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, një emër i rëndësishëm i futbollit italian, me përvojë në fushën e lojës, por ndoshta modeste në trajnim. Jam i sigurt që kemi bërë zgjedhjen më të mirë me të gjitha karakteristikat që ka trajneri i ri. Jam i bindur se me stafin e tij dhe të gjithë ne do të bëjmë të mundur që të jemi pjesë e Euro 2020, tha Duka, raporton TopChannel.

Trajneri i ri Kombëtares u shpreh i nderuar. Ai tha se nuk e pati të vështirë t’i thoshte po Shqipërisë dhe konfirmoi se objektivi është kualifikimi në Euro 2020 dhe këtij objektivi do t’i shërbejnë edhe katër ndeshjet e mbetura të eliminatoreve të Botërorit.

“Jam i bindur që kemi një skuadër shumë të mirë. Kemi katër ndeshje të rëndësishme përpara për eliminatoret e botërorit, edhe pse është thuajse e pamundur kualifikimi, por që do të na shërbejë për t’u përgatitur për Evropianin e 2020. Mezi pres që të filloj nga puna dhe të përpiqem t’u jap kënaqësi njerëzve të këtij vendi. Objektivi i vetëm dhe unik është 2020, i vetmi objektiv i rëndësishëm për ne dhe grupin e mundësitë për t’ia dalë mbanë i kemi”, tha Panucci.

Ai lëvdoi punën e paraardhësit të tij, Gianni De Biasi dhe nuk paralajmëroi një revolucion në Kombëtare.

Edhe FSHF kërkon pasuesin e Panuccit po në Itali Sport FSHF kërkon pasuesin e Panuccit po në Itali

“De Biasi bëri historinë me Shqipërinë dhe unë do të përpiqem që të bëj një tjetër histori me këtë skuadër. Është e vështirë, por jam i bindur se do t’ia dalim mbanë. Grupi që ndërtoi De Biasi ngriti nivelin e futbollit shqiptar”, tha ai.

Nga ana e tij, Armand Duka tha se grinta, vullneti i hekurt, dëshira për të fituar, por edhe përvoja si lojtar me skuadra të mëdha dhe jo çështjet financiare e bindën FSHF-në se Christian Panucci ishte zgjedhja e duhur.