Sulmuesi i njohur maqedonas, Goran Pandev, ka 17 vjet në futbollin italian, por nuk e ka ndërmend të ndalet.
35-vjeçari synon të luajë të paktën edhe edicionin e ardhshëm, 2019\2020 e po ashtu shpreson të udhëheqë Maqedoninë drejt sigurimit të "Euro 2020".
Me Maqedoninë kërkon suksesin në plejofin e Ligës D të Ligës së Kombeve, që zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm. Në gjysmëfinale të plejofit Maqedonia takohet me Kosovën, gjithnjë nëse asnjëra nuk siguron evropianin përmes kualifikimeve të rregullta.
Fituesi i asaj ndeshjeje do të kalonte në finale të plejofit e fituesi i finales kualifikohet në evropian. Pandev, që ka lënë gjurmë te Lazio e Interi, këtë edicion po paraqitet për Genoan. Është kapiten i Maqedonisë për të cilën ka shënuar 33 gola në 99 ndeshje.
"Dua të luaj edhe një vit, këtu apo diku tjetër. Më pas vjen plejofi me Kosovën. Shpresoj të përfundojë karrierën duke shkuar në Evropian me vendin tim", ka thënë Pandev në një intervistë për "Gazzetta dello Sport".
Pandev pritet të marrë drejtimin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, pasi të përfundojë karrierën si lojtar.