Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pacquiao do të garojë për president të Filipineve

Legjenda e boksit Manny Pacquiao ka thënë se do të garojë për president të Filipineve në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, raporton BBC.

Ai është nominuar për president nga partia PDP-Laban.

Pacquiao 42-vjeçar është senator në parlamentin e Filipineve.

Ai mban rekordin në boks, duke fituar tituj të botës në tetë kategori të ndryshme.

Në boks profesionist i ka 62 fitore, tetë humbje e dy barazime. Së fundi boksoi më 21 korrik të këtij viti, ku u mposht me vendim unanim pas 12 raundeve nga kubani Yordenis Ugas në luftën e vlefshme për titullin WBA në kategorinë velter.

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, më nuk mund të garojë për mandat tjetër, mirëpo ai do të garojë për zëvendëspresident. Kritikët thonë se është lëvizje për ta mbajtur pushtetin.