Në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm do të jetë një mungesë e dukshme. Sulmuesi Erling Haaland. Ndërkohë, Cristiano Ronaldo, Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Romelu Lukaku do ta kenë mundësinë të zgjasin rekordet dhe trashëgiminë e tyre të golave në “Euro 2024”. Për dallim prej tyre, Haaland ka të ngjarë të jetë në pushime pas dështimit të Norvegjisë për t’u kualifikuar në turneun që do të mbahet në qershor dhe korrik të vitit të ardhshëm në Gjermani.
Po ashtu, ky turne mund të ndikojë gjithashtu në ambiciet e Haalandit për ta fituar “Topin e Artë” vitin e ardhshëm dhe për t’u konfirmuar si futbollisti numër një në botë. Trofetë ndërkombëtarë janë një faktor kyç në përcaktimin se kush e fiton çmimin më të madh individual të këtij sporti. Hiqni triumfin e Lionel Messit në Kupën e Botës me Argjentinën vitin e kaluar dhe “Topi i Artë” ka të ngjarë të ishte fituar nga fuqia e golave që qëndron pas tripletës të Manchester Cityt, ekip që triumfoi në Premier League, FA Cup dhe Ligën e Kampionëve.
Në vend të kësaj, Haaland duhej të kënaqej me pozitën e dytë në renditjen e “Topit e Artë” pas një edicioni në të cilin ai shënoi 52 gola. Messi mori “Topin e Artë” për herën e tetë, duke vendosur një rekord të ri. Ndoshta, ai do të jetë në garë për herën e nëntë nëse mund ta udhëheqë Argjentinën drejt fitores në “Copa America” të vitit të ardhshëm dhe të fitojë më shumë trofe me fanellën e Inter Miamit. Ronaldo, gjithashtu, po tregon pak shenja të uljes së ambicieve të tij në skenën ndërkombëtare, pavarësisht se u transferua në Arabinë Saudite, tek Al-Nassr. Ai tashmë është golashënuesi më i mirë në futbollin ndërkombëtar me 128 gola të shënuar. Nëse ftohet nga Portugalia, ai do të paraqitet në Evropianin e tij të gjashtë, pasi ka luajtur 25 ndeshje dhe ka shënuar më së shumti gola në historinë e turneut - 14. Ai do të jetë 39 vjeç deri atëherë dhe pjesë e një skuadre portugeze që do të jetë ndër favoritët pas një rekordi të përsosur në kualifikime prej 10 fitoreve në po aq ndeshje. Edhe nëse ai është duke luajtur në Arabinë Saudite, do të ishte e vështirë për Ronaldon ta fitonte “Topin e Artë”, edhe nëse triumfon për herë të dytë në një Evropian. Anglezi Kane mund t'i ketë dhënë fund pritjes së tij të gjatë për trofe në kohën kur Evropiani do të vijë pas kalimit të tij te Bayern Munichu. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Anglisë ka bërë një fillim spektakolar në Gjermani me 21 gola në 15 paraqitje për klubin e tij të ri. Bayerni ka të ngjarë të jetë një nga rivalët kryesorë të Cityt për Ligën e Kampionëve, falë golave të Kanet. Ndërkohë Anglia, që është nënkampione e Evropës, do të mbështetet te Kane për t’i dhënë fund pritjes për trofe që nga viti 1966. Mbappe, i cili shënoi “hat-trick” në fitoren 14:0 të Francës kundër Gjibraltarit javën e kaluar, po i afrohet rekordit të Olivier Giroudit prej 56 golave për ekipin kombëtar. Sulmuesi i Paris Saint-Germainit ka shënuar 46 gola deri më tani për Francën. Mbappe dhe Haaland po pritet të pasojnë Messin dhe Ronaldon si ikonat e ardhshme botërore të futbollit dhe francezi mund të ketë një epërsi ndaj norvegjezit për “Topin e Artë” nëse udhëheq ekipin drejt suksesit në “Euro 2024”. Edhe Lukaku, karriera e të cilit në nivel klubi ka qenë në rënie gjatë dy vjetëve të fundit, ka më shumë shpresë se Haaland për të fituar trofe me vendin e tij. Lukaku është i rëndësishëm për Belgjikën, pasi deri më tani ka shënuar 83 gola në 113 paraqitje, ndërsa ishte gjithashtu golashënuesi më i mirë në këtë cikël kualifikues me 14 gola të realizuar. Robert Lewandowski gjithashtu mund të ketë një rast për “Topin e Artë”, në rast se Polonia siguron pjesëmarrjen në Evropian nëpërmjet plejofit. Ky do të jetë
një problem që mund ta ndjekë Haaland gjatë gjithë karrierës së tij nëse Norvegjia vazhdon të humbasë turnetë e mëdhenj. Shkathtësia e tij për të shënuar gola ka të ngjarë ta shohë atë të thyejë rekorde të shumta dhe të fitojë mori trofesh me Cityn. “Topi i Artë” duhet të jetë trofeu i ardhshëm i madh për të. Por me Mbappen, në veçanti, që pritet të jetë rivali i tij më i madh në vitet në vijim, atij mund t'i duhet të shikojë rregullisht me zili ndërsa sulmuesi francez mund të shfaqet në skenat më madhështore të futbollit ndërkombëtar.