Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Orges Bunjaku vendos ta përfaqësojë Kosovën

Mesfushori Orges Bunjaku ka vendosur që ta përfaqësojë Kosovën. Nëpërmjet një njoftimi të martën, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), ka bërë të ditur vendimin e Bunjakut.

Mesfushori 20-vjeçar është pjesë e Grenobles, ekip që bën gara në kategorinë e dytë të Francës, ndërsa ka luajtur edhe për gjeneratat e reja të Zvicrës (U15, U16, U17, U18, U19, U20).

Bunjaku si lojtar është zhvilluar në akademinë e Baselit, ndërsa ka qenë edhe pjesë e ekipit të parë përpara se të transferohet në Francë në verën e vitit të shkuar.

“Futbollisti i talentuar kosovar, Orges Bunjaku ka qëndruar sot në FFK, ku është pritur nga presidenti Agim Ademi dhe KE i FFK-së. Në këtë takim është zyrtarizuar vendimi i lojtarit për t’iu bashkuar Kombëtares së Kosovës. Bunjaku ka lindur në Zvicër dhe deri tash ka përfaqësuar këtë shtet në të gjitha ekipet kombëtare të grupmoshave. Megjithatë, tani ka vendosur ta dëgjojë zemrën dhe ta përfaqësojë vendlindjen e prindërve të tij. 20-vjeçari aktualisht luan në kategorinë e dytë të futbollit francez, Grenoble, ku u transferua nga skuadra e njohur zvicerane, Basel”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.

Po ashtu, Bunjaku gjatë takimit që e pati me zyrtarët e FFK-së të martën, ka thënë se me padurim e pret ditën kur do ta vesh fanellën e Kosovës, për të cilën tha se do ta japë më të mirën nga vetja.

Artikuj të ngjashëm